LEKËT PËR STILOLAPSA! Qeveria largohet nga investimet publike, rrit shpenzimet për kancelari

Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave për 4-mujorin e parë të vitit 2026 tregojnë një përmbysje të raportit mes shpenzimeve operative dhe investimeve kapitale në buxhetin e shtetit, duke ngritur shqetësime për prioritetet e financave publike.

Sipas shifrave zyrtare, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes kanë arritur në 17.7 miliardë lekë, duke tejkaluar investimet publike, të cilat janë 14.8 miliardë lekë.

Diferenca prej 16.5% tregon se një pjesë më e madhe e buxhetit po shkon për funksionimin e administratës dhe mirëmbajtjen e strukturave ekzistuese, në vend të projekteve të reja infrastrukturore.

Ky trend, i cili ka nisur të thellohet që në vitin 2025, shihet si problematik në një vend si Shqipëria, ku nevojat për investime në infrastrukturë, transport, shëndetësi dhe arsim mbeten të larta.

Investimet kapitale konsiderohen motor i rritjes ekonomike, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin afatgjatë.

LEKËT PËR STILOLAPSA! Qeveria largohet nga investimet publike, rrit

Ekspertë të fushës theksojnë se shpenzimet operative kanë edhe një nivel më të ulët transparence dhe kontrolli, duke ngritur shqetësime për eficiencën e përdorimit të fondeve publike.

Brenda këtij zëri përfshihen kostot e funksionimit të administratës, energjia, karburanti, pajisjet zyrtare, shërbimet IT, si dhe pagesat për kontrata mirëmbajtjeje dhe PPP.

Në veçanti, kostot e mirëmbajtjes së sistemeve digjitale dhe kontratave të shërbimeve teknologjike janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa një pjesë e tyre është aktualisht nën hetim.

Ndërkohë, problematikat në infrastrukturën rrugore mbeten të dukshme. Akse të rëndësishme si Rruga e Kombit dhe segmentet pranë Durrësit raportohen me dëmtime dhe mungesë mirëmbajtjeje efektive, pavarësisht fondeve të dedikuara çdo vit.

Sipas analizës, mungesa e një strategjie afatgjatë për mirëmbajtjen dhe fragmentimi i fondeve në tenderë të vegjël ka rritur kostot dhe ka ulur cilësinë e ndërhyrjeve publike, duke thelluar shqetësimet mbi eficiencën e shpenzimeve shtetërore./ Monitor.al