Shqipëria, projekt apo shtëpi?! Ja mësimet që na jep Butani, Sllovenia dhe Islanda...
Kur Shqipëria miratoi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, debati u zhvillua fillimisht ashtu si zhvillohet ngaherë: te kampet. Njëra anë tha “zhvillim ekonomik”, tjetra tha “shkatërrim mjedisor”.
Pastaj erdhën projektet me radhë dhe investimet miliarda euro, dhe e njëjta fjali u përsërit në forma të ndryshme.
Duhet thënë se diskutimi nuk duhet të jetë nëse Shqipëria duhet të ketë hotele apo resorte mira. Sigurisht që duhet. Madje as nëse turizmi luksoz nuk është armik. Pyetja duhet të jetë e pandërlikuar: Kush vendos se çfarë bëhet me vendin tonë?

Detet Adriatik dhe Jon nuk janë vetëm asete tonat; malet nuk janë vetëm potencial; një ishull i pabanuar nuk është vetëm mundësi zhvillimi. Të gjithë këto pasuri që natyra na “i ka falur” janë një shtëpi e përbashkët. Por kur një vend që nuk di të vendosë rregulla për shtëpinë e vet, herët a vonë zgjohet si mysafir brenda saj.
Në vijim kemi sjellë 3 shembuj të vendeve të vogla që zgjodhën identitetin mbi fitimin dhe fituan dyfish.
Butani: vendi që vendosi se nuk do të matej vetëm me para

Butani është një vend i vogël malor në Himalaje, me më pak se një milion banorë. Ky vend nuk ka bregdetin përrallor mesdhetar, nuk ka riviera, nuk ka ishuj që i shiten imagjinatës së investitorëve të huaj strategjikë. Por ka diçka që shumë vende më të pasura nuk e kanë: një ide të qartë për veten.

Që prej viteve ‘70, Butani e ka ndërtuar filozofinë e tij shtetërore rreth konceptit të Gross National Happiness, ose Lumturisë Kombëtare Bruto. Me fjalë të tjera: suksesi i vendit nuk matet vetëm me sa rritet ekonomia, por edhe me atë që ndodh me kulturën, natyrën, mirëqenien dhe jetën e përditshme të njerëzve.

Edhe turizmi është ndërtuar mbi këtë logjikë. Butani prej vitesh promovon modelin High Value, Low Volume: më pak turistë, më shumë vlerë. Sot, shumica e vizitorëve ndërkombëtarë paguajnë një tarifë për zhvillimin e qëndrueshëm, 100 dollarë/për person, për natë. Sipas faqes zyrtare të turizmit të Butanit, këto fonde përdoren për zhvillim ekonomik, social, mjedisor dhe kulturor, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin falas, ruajtjen e traditave dhe investimet.
Kjo nuk do të thotë që Butani është vendi më i lumtur në botë, sepse asnjë vend nuk është. Por ai ka bërë një zgjedhje që shumë shtete e shmangin: nuk e ka trajtuar turizmin si garë për numra, por si marrëdhënie mes vizitorit, vendit dhe banorit. Turisti mund të shkojë, por nuk e merr vendin me vete, nuk e ndryshon sipas shijes së tij, nuk bëhet masa me të cilën matet e ardhmja e vendasve.

Sllovenia: “green” nuk është fjalë marketingu, por strategji
Sllovenia është një vend i vogël, me një vijë bregdetare shumë të shkurtër, rreth 47 kilometra, dhe me rreth 58% të territorit të mbuluar nga pyje. Pra, nëse do të kishte dashur të luante lojën klasike të turizmit ballkanik, mund të kishte thënë “kemi pak det, ta shfrytëzojmë sa të mundemi” ose "kemi shumë pyje, t’i shfrytëzojmë sa të mundemi”. Por bëri të kundërtën.

Në vitin 2016, Sllovenia u shpall “vendi i parë i gjelbër në botë” në kuadër të Global Green Destinations Day. Programi “Slovenia Green” certifikon destinacione dhe biznese turistike që provojnë se funksionojnë me standarde të matshme mjedisore, sociale dhe ekonomike: nga mbrojtja e natyrës dhe menaxhimi i mbetjeve, te përfshirja e komunitetit lokal, ruajtja e kulturës dhe ndikimi real në ekonominë vendase.

Pra, Sllovenia nuk e la “gjelbërimin” si fjalë marketingu, por e përdori si standard certifikimi, një mënyrë për të dalluar kush e përdor natyrën si dekor dhe kush e respekton si themel të produktit turistik.
Edhe Lubjana është pjesë e të njëjtës histori. Kryeqyteti slloven ka ndërmarrë prej vitesh masa për të kufizuar qarkullimin e makinave në qendër dhe për të nxitur ecjen, përdorimin e biçikletave dhe transportin publik. Turisti nuk ftohet aty sepse gjen më shumë beton, më shumë parkime, më shumë zhurmë. Ftohet sepse qyteti ka vendosur që cilësia e jetës është pjesë e atraksionit.

Pastaj është edhe gastronomia. “Slovenia Green Gourmet Route” lidh destinacione dhe biznese me certifikim të gjelbër, duke e kthyer udhëtimin në një rrjet përvojash lokale: restorante, prodhues, peizazh, biçikleta, ritëm më i ngadaltë. Ideja e tyre nuk është që turisti të shkojë, të konsumojë dhe të ikë, por që turizmi të ushqejë vendin, jo vetëm bilancin e hotelit.
Islanda: natyra nuk është sfond për Instagram
Islanda është një tjetër shembull interesant, sepse nuk nisi si modeli i përsosur. Pas krizës financiare të vitit 2008, turizmi u bë një nga motorët më të rëndësishëm të rimëkëmbjes ekonomike. Numrat u rritën, por bashkë me ta u rrit edhe presioni mbi natyrën: rrugët, peizazhet, vendet e brishta dhe komunitetet e vogla u dëmtuan.

Islanda, ndryshe nga shumë vende që e kuptojnë vonë se turizmi masiv nuk është gjithmonë bekim, nisi të flasë hapur për kufijtë. Në vitin 2024, Islanda riktheu taksën turistike për hotelet dhe planifikoi ta zgjerojë edhe për pasagjerët e anijeve turistike, me synimin që të ardhurat të përdoren për mbrojtjen e natyrës dhe infrastrukturën.

Zyra Islandeze e Turizmit e përkufizon turizmin si shtyllë të rëndësishme të ekonomisë, por duke marrë parasysh “kapacitetin” e natyrës dhe të shoqërisë. Kjo është fjalia që bën diferencën.

Dhe tani, Shqipëria
Shqipëria ka gjithçka që sot kërkon turisti modern: det që ende nuk është kthyer plotësisht në dekor resortesh, male që ende ruajnë ashpërsinë e tyre, fshatra që ende janë autentikë, ushqim që nuk ka nevojë për shumë marketing, histori që nuk fillon me sezonin turistik dhe nuk mbaron në shtator.
Por Shqipëria ka edhe diçka tjetër: një uri të madhe për “zhvillim”, shpesh pa një diskutim serioz se çfarë zhvillimi duam.
Ligji nr. 21/2024 ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke i hapur derën mundësisë për projekte infrastrukturore dhe turistike edhe brenda zonave të mbrojtura, përfshirë komplekse luksoze në zona që më parë kishin mbrojtje më të fortë.
Jo çdo investim i huaj është i keq dhe jo çdo hotel luksoz është kërcënim. Afërmendsh që Shqipëria nuk duhet të mbetet e varfër për të qenë “autentike”. Problemi është kur luksi bëhet strategji kombëtare përpara se vendi të ketë vendosur kufijtë e vet.
Sepse një resort luksoz, një resort çfarëdo diku gjetkë, një projekt i madh, mund të jenë pjesë e një vizioni, por nuk mund të jenë vetë vizioni. Kjo sepse nuk mund të jetë investitori ai që i jep kuptim vendit, nuk mund të jetë hoteli ai që vendos vlerën e ishullit, nuk mund të jetë turisti ai që përcakton se çfarë meriton të ruhet dhe çfarë meriton të ndërtohet.
Butani vendosi që lumturia dhe kultura nuk janë luks. Sllovenia vendosi që gjelbërimi nuk është imazh, por politikë. Islanda vendosi që natyra ka kapacitet, pra ka edhe kufi. Këto tre shtete nuk janë vende “kundër luksit”. Butani ka Aman, Six Senses, COMO etj;

Islanda ka The Retreat at Blue Lagoon, Deplar Farm apo The Reykjavik EDITION;

Sllovenia ka hotele historike e boutique me standarde të larta. Ndryshimi është tjetërkund: këto vende nuk e kanë lënë luksin të bëhet pronari i identitetit kombëtar. Luksi ekziston, por brenda kufijve, brenda idesë se natyra dhe identiteti nuk janë thjesht truall për t’u zhvilluar, por arsyeja pse turisti vjen aty në radhë të parë.

Shqipëria duhet të vendosë diçka po kaq të thjeshtë: a do të jetë një vend që e përdor bukurinë për të ndërtuar të ardhmen, apo një vend që e jep bukurinë si garanci për investimin e radhës?

Ne nuk duhet të diskutojmë “Sa para sjell Sazani?”, “Sa para na sjell Zvërneci”, “Sa para do na sjellë ndonjë resort i ardhshëm nëpër male” etj. E thënë thjesht: “Pas 20 vitesh, a do të jetë ende Sazani, Zvërneci, Rrjolli etj., i Shqipërisë?”. Këtu nuk e kemi fjalën për letra e kufij zyrtarë, por për ndjesinë, për kujtesën, për të drejtën për të hyrë në këto vende. Për të drejtën për të mos u ndjerë vizitor në shtëpinë tënde.



