DOSJA E AKSHI-t/ Lihet në fuqi sekuestrimi i pasurive të Mirlinda Karçanajt

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë lidhur me vendosjen e sekuestrove preventive për disa pasuri të të pandehurve të dosjes së AKSHI-t

Në njoftimin e ndarë për mediat, gjyqtari monokratik Florjan Kalaja ka shqyrtuar ankimimet e bëra nga personat nën hetim me inicialet A.P, M.K (Mirlinda Karçanaj), E.B, A.K, si dhe disa shoqërive private, duke ndryshuar disa nga masat e sigurisë pasurore të dhëna në shkallë të parë më 20 prill.

Nga ky vendim i Apelit, urdhërohet Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara që të heqin menjëherë bllokimet mbi shumat marramendëse që prekin disa kompani të fuqishme, si dhe pasuri të llojit apartament.

Sipas të dhënave të detajuara nga vendimi i gjykatës, Apeli ka pranuar kërkesat e disa prej emrave të njohur të përfshirë në këtë dosje voluminoze, duke urdhëruar kthimin e aseteve:

Gëzim Hoxha: Rrëzohet sekuestroja e Prokurorisë së Posaçme mbi asetet e shoqërisë private në shumën 123.629.664 Lekë.

Andis Papa: Lirohen nga bllokimi shumat të dy subjekteve të ndryshme, respektivisht në vlerat 410.595.663 Lekë dhe 94.423.883 Lekë.

Elision Jorgji: Gjykata ka rrëzuar sekuestron preventive të vendosur ndaj aseteve të kompanisë së tij në shumën prej 100.840.264 Lekë.

Ergys Agasi: Apeli ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë duke urdhëruar lirimin dhe heqjen e sekuestros për pasurinë e llojit apartament të ndodhur në një objekt disakatësh në Tiranë.

Ndërsa miliona euro të kompanive të mësipërme janë liruar nga Apeli, pjesa tjetër e dosjes nuk ka ndryshuar. Gykata ka vendosur miratimin e pjesës tjetër të vendimit të datës 20 prill 2026.

Pasuritë dhe asetet e tjera nën hetim vijojnë të mbeten nën sekuestro të rreptë preventive, përfshirë këtu edhe pasuritë e shtetasit Ermal Beqiri (E.B.), për të cilin gjykata ka lënë në fuqi bllokimin e kërkuar nga SPAK.

VENDIMI

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarFlorjan Kalaja, sot më datë 02.06.2026, disponoi për çështjen penale nr.20akti, datë 19.05.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.P, M.K, E.B, A.K, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”:“Ankim kundër vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”,vendosi:

1.     Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. G.H.

2.     Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë ***sh.p.k. në shumën 123.629.664 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

3.     Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. A.P.

4.     Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit ***sh.p.k. në shumën 410.595.663 Lekë dhe kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit ***sh.p.k. në shumën 94.423.883 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

5.     Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. E.J.

6.     Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë ***sh.p.k. në shumën 100.840.264 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

7.     Ndryshimin e Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon disponimit mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***” në emër dhe për llogari të Z. E.A.

8.     Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon sekuestrimit preventiv të pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***”, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe kthimin e pasurisë tek subjekti apelues ***sh.p.k.

9.     Miratimin e pjesës tjetër të disponimeve të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

10.   Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.

11.   Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.