Zvërneci "zgjon" shqiptarët! Andoni: Drejtësia la për të dëshiruar, njerëzit janë lodhur nga klasa e vjetër politike
Projekti i zhvillimit të Zvërnecit dhe problematikat e thella me pronësinë kanë shkaktuar një valë reagimesh dhe protestash, duke nxjerrë në pah mungesën e theksuar të transparencës nga ana e institucioneve shtetërore. Gjatë vizitës së zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Këshillit të Europës si zoti Costa, kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar praninë e mediave të huaja për të bërë sqarime publike lidhur me këtë çështje të nxehtë, një lëvizje që po lexohet si një skemë e mirëfilltë komunikimi.
Pas deklaratave të mëparshme me natyrë emocionale që nuk dhanë efektin e pritur te publiku vendas, përdorimi i një platforme ndërkombëtare shihet si një taktikë për t'i dhënë seriozitet qëndrimit qeveritar. Megjithatë, kjo manovër nuk e fsheh dot faktin që protestuesit dhe qytetarët po tregojnë një rritje të ndjeshme të pakënaqësisë ndaj figurave kryesore politike në vend.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, analisti Ben Andoni, komentoi debatet mbi projektin e zhvillimit në Zvërnec. Ai ngriti shqetësime për çështjet e pronësisë, mungesën e transparencës institucionale dhe mënyrën se si po trajtohen protestat kundër investimit.
“E këto problematika vërtet ne jemi mësuar që i kalojmë kështu sepse ka çdo ditë referime për krimin e organizuar, për korrupsionin e të tjera. Por ama kur t'i thotë një njeri i Këshillit të Europës, duhet t'i vësh gishtin kokës.
Dhe në këtë sens po them që ne lëmë shumë të dëshiruar, për të dëshiruar sidomos pjesa e sistemit të drejtësisë që deri para disa muajve ishte kalaja jonë e betejës.
Nuk ka më dyshje për këtë sepse vetë sistemi i drejtësisë po e tregon që lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar dhe jo më kot sot zoti Rama u shpreh optimist të paktën që organet e drejtësisë po shikojnë sistemin e pronësisë në pjesën e Zvërnecit. Një gjë e cila duhej zgjidhur me kohë
Por ju e shikoni vetë që duhet të ngjasin situata, duhet të ketë lëvizje të tilla që shteti të vendoset në... të vendoset në tonus dhe të tregojë vërtet problematikat. Dhe problematikat e Zvërnecit janë jashtëzakonisht të thella.
Ke pronësinë, ke mënyra se si po organizohet protesta, ke mënyra se si nuk shikohen shqetësimet e kahershme të ambjentalistëve. Ke mënyra se si një pjesë e madhe po flasin për futjen e lobeve ruse e të tjera, që të zë tmerri kur i dëgjon sepse... nuk e di, është një lloj lufte kaq e madhe propagandistike sa individi më i pakët nuk arrin që të orientohet dot. Por zoti Costa ka ardhur në një moment që po të kishte njerëz që e kuptonin Shqipërinë do t'i tregonin.
Ata protestues që kanë qenë këto dy ditë, s'dua t'i ndaj... më besoni, një pjesë e tyre mbase nuk e di fare se si është realiteti i pronës ose projekti i zhvillimit të Zvërnecit, po një gjë e dinë mirë që me zotin Rama dhe me zotin Berisha shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Dhe jo më kot artikulimet kryesore të tyre ishin tamam të tilla.
Por Këshilli i Europës ju e dini, është një institucion shumë kolegjial. Ai më shumë merret me pjesën të themi demokratike dhe kjo quhet një lloj demokracie, për shembull kur kryeministri të kthen përgjigje, kur kryeministri merr përgjegjësi..”-tha ai.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME GAZETARIN BEN ANDONI

