Detaje nga aksidenti fatal në Lushnje/ Viktimë mbeti vëllai i zv.ministres së Mjedisit, 43-vjeçari tentoi t’i largohej policisë, por u përplas nga shpejtësia “skëterrë”

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti fatal në qytetin e Lushnjës, ku një 43-vjeçar humbi jetën. Mësohet se viktimë mbeti Ernis Xhumari, vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.

Siç raportohet, pak para aksidentit 43-vjeçari ka shkuar para Komisariatit të Lushnjës duke xhiruar gomat dhe duke përdorur fjalor ofendues dhe pas këtyre manovrave, policia i është vënë në ndjekje.

Në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë, 43-vjeçari ka lëvizur me shpejtësi të lartë, ku si pasojë është përplasur dhe më pas makina është përfshirë nga flakët. Edhe pse i është dhënë ndihma e parë, 43-vjeçari fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti  është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.