Ivanka Trump: Sazanin e zbulova me not! Vajza e presidentit amerikan e quan “ishullin privat”

Ishulli i Sazanit nuk është thjesht një investim për Ivanka Trump. Në një podcast të publikuar së fundmi, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump ka rrëfyer historinë e zbulimit të ishullit shqiptar, emocionet që i ngjalli natyra e tij dhe vizionin për projektin turistik që synon të realizojë së bashku me bashkëshortin Jared Kushner.

Një ndalesë e rastësishme gjatë një udhëtimi me jaht në Mesdhe u kthye në fillimin e një projekti multimiliardësh në Shqipëri.

Në podcastin e David Senra-s, Ivanka Trump tregoi se si ajo dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner zbuluan ishullin e Sazanit, një vend që sipas saj i mahniti që në momentin e parë.

IVANKA TRUMP: "Është një ishull privat i pabesueshëm, i bukur, me sipërfaqe 1.400 hektarë, në mes të Mesdheut. Ishim në jahtin e një miku dhe u ndalëm për të notuar. Notuam deri në ishull. Ecëm zbathur deri në majë dhe thjesht u magjepsëm. Gjatë viteve krijuam mundësinë për të realizuar potencialin e tij, por me shumë kujdes, sepse toka është aq e bukur sa arkitektura duhet të integrohet plotësisht në të, pothuajse të ngrihet prej saj."

Pas zbulimit të ishullit, ideja për investim nuk u materializua menjëherë.

IVANKA TRUMP: "Për mua kjo nuk është as një biznes, pavarësisht përmasës së tij. Ne kemi jo vetëm ishullin, por edhe pesë milje vijë bregdetare përballë tij. Për mua kjo ndihet më shumë si një sfidë se çdo gjë tjetër."

Por realizimi i një projekti të tillë kërkon, sipas saj, jo vetëm investime të mëdha, por edhe një vizion të qartë dhe bashkëpunimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë.

IVANKA TRUMP: "Kjo kërkon shumë vizion. Kërkon bashkëpunimin e disa prej mjeshtërve më të mëdhenj që ekzistojnë. Sapo isha atje duke ecur nëpër tokë së bashku me disa nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë. Njerëz me integritet absolut, që nuk bëjnë kompromis."

Sazani mbetet një nga projektet më të diskutuara turistike në Shqipëri, ndërsa deklaratat e Ivanka Trump japin për herë të parë një pamje më personale mbi mënyrën se si lindi ideja dhe vizioni që qëndron pas këtij investimi.