Sulm masiv rus ndaj Kievit, goditet edhe rezidenca ku banon ambasadori shqiptar
Një person ka humbur jetën dhe të paktën 21 të tjerë janë plagosur pasi Rusia ndërmori një valë të re sulmesh me raketa balistike dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit.
Mes objekteve të goditura ishte edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se një 15-vjeçar është mes të plagosurve, ndërsa 13 persona janë transportuar në spital, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas administratës ushtarake të Kievit, sulmet goditën më shumë se 40 pika në të gjithë qytetin. Kreu i administratës ushtarake, Tymur Tkachenko, paralajmëroi se “kryeqyteti i është nënshtruar një sulmi masiv balistik” dhe se lëshime të tjera raketash mund të pasojnë.
Pas ngjarjes ka reaguar Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili dënoi ashpër sulmet ruse ndaj objektivave civile dhe e cilësoi goditjen e rezidencës së ambasadorit shqiptar si “të papranueshme”.
