Shembje në mes të natës në Filipine/ Ndërtesa në ndërtim rrëzohet, 19 punëtorë ende të zhdukur
Në veri të kryeqytetit të Filipineve, në Angeles City, një ndërtesë nëntëkatëshe në ndërtim është shembur gjatë natës, duke lënë pas frikë për fatin e të paktën 19 punëtorëve që ndodheshin në kantier.
Sipas autoriteteve lokale, shembja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet. Ndërtesa prej betoni u rrëzua papritur, duke zënë poshtë skela dhe pjesë të mëdha materiali ndërtimi.
Ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte të vështira për të hequr rrënojat dhe për të gjetur personat e bllokuar.
Deri tani janë nxjerrë të gjallë 24 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpëtuar nga një objekt pranë zonës së shembjes që është dëmtuar nga ngjarja.
Autoritetet shpresojnë që 19 punëtorët e raportuar të zhdukur të jenë mes të mbijetuarve, ndërsa kontrollet dhe kërkimet vazhdojnë.
Nuk janë raportuar viktima deri tani dhe të shpëtuarit ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Shkaku i shembjes është ende nën hetim.

