Arrestohet irakiani që planifikoi atentat ndaj Ivanka Trump, publikoi hartën e vilës në Florida
Autoritetet amerikane kanë arrestuar një shtetas irakian 32-vjeçar, i cili dyshohet për lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupe militante pro-iraniane.
Sipas mediave amerikane, ai akuzohet se kishte planifikuar një atentat ndaj Ivanka Trump, vajzës së presidentit amerikan Donald Trump.
I dyshuari, Mohammad Baker Sad Dawood al-Saadi, besohet se kishte si motiv hakmarrjen për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në një sulm amerikan me dron në vitin 2020.
Mediat e huaja raportojnë se al-Saadi kishte publikuar në rrjetin social X një hartë të zonës në Florida ku ndodhet vila e Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Në postimin në gjuhën arabe ai shkruante se “as pallatet dhe as Shërbimi Sekret nuk do t’i mbrojnë amerikanët” dhe se “hakmarrja është çështje kohe”.
Po ashtu, thuhet se ai kishte siguruar edhe planin e shtëpisë së çiftit në Florida, e cila vlerësohet rreth 24 milionë dollarë.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, al-Saadi u arrestua më 15 maj në Turqi dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara. Ai përballet me akuza që lidhen me 18 sulme dhe tentativa sulmesh në Evropë dhe SHBA.

