Irani mbyll pjesërisht hapësirën ajrore në perëndim të vendit mes tensioneve në rritje
Irani ka vendosur kufizime të përkohshme në pjesën perëndimore të hapësirës ajrore të vendit, në një kohë kur tensionet me Shtetet e Bashkuara mbeten të larta.
Sipas Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit, fluturimet e pasagjerëve mbi këtë zonë do të përballen me kufizime të ashpra sigurie.
Ky vendim vjen në një periudhë kur raportimet flasin për mundësinë e rinisjes së veprimeve ushtarake nga SHBA ndaj Iranit, ndërsa paralelisht vazhdojnë edhe përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve.
Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht vetëm tetë aeroporte në Iran lejohen të funksionojnë, përfshirë aeroportet e Mehrabadit dhe Imam Khomeinit në Teheran, si dhe aeroportet në Isfahan dhe Jazd.
Në këto aeroporte, fluturimet lejohen vetëm gjatë ditës, nga lindja deri në perëndim të diellit. Kompanitë ajrore duhet të marrin leje të veçantë për çdo fluturim.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur pas sulmeve të nisura në fund të shkurtit nga SHBA dhe Izraeli. Megjithatë, që nga prilli është në fuqi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se sulmet mund të rifillojnë nëse Irani nuk pranon propozimin amerikan për paqe.

