A është Hantavirus kërcënim për Evropën?/ Shpërthimi i ri ngre frikën për një tjetër pandemi globale

Një shpërthim i hantavirusit në anijen turistike MV Hondius ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, pasi deri tani janë regjistruar 11 raste dhe tre viktima.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet janë raportuar që nga 13 maji dhe ekziston mundësia që të ketë edhe të infektuar të tjerë, për shkak të mënyrës së përhapjes dhe periudhës së inkubacionit.

Megjithatë, deri tani nuk ka shenja për një përhapje më të madhe globale.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë të qartë se situata nuk lidhet me COVID-19 dhe nuk bëhet fjalë për fillim të një pandemie të re. Hantaviruset janë një grup virusesh që zakonisht transmetohen nga brejtësit dhe rrallë kalojnë nga njeriu te njeriu.

Shpërthimi ka ndodhur në një mjedis të mbyllur si anija, gjë që ka rritur shqetësimin për përhapje më të shpejtë mes pasagjerëve dhe stafit.

Aktualisht po hetohet origjina e infeksionit dhe mënyra se si është futur virusi në bord.

Ekspertët shpjegojnë se faktorë si klima dhe ndryshimet mjedisore mund të ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve të tilla, pasi ndikojnë tek kafshët që mbartin virusin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ekipet mjekësore po ndjekin situatën, ndërsa po vazhdojnë kontrollet për raste të reja.