Franca ndalon hyrjen për ministrin izraelit Ben Gvir pas reagimeve për aktivistët e flotiljes

Franca ka vendosur t’i ndalojë hyrjen ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, pas reagimeve për sjelljen e tij ndaj aktivistëve të ndaluar nga autoritetet izraelite.

Sipas Ministrisë së Jashtme franceze, vendimi lidhet me veprime të cilësuara si të papranueshme ndaj qytetarëve francezë dhe evropianë që ishin pjesë e një flote ndihmash humanitare me destinacion Gazën.

Ministri i Jashtëm francez ka bërë të ditur se, së bashku me Italinë, po kërkohet edhe vendosja e sanksioneve në nivel të Bashkimit Evropian ndaj ministrit izraelit.

Ngjarja lidhet me një video të publikuar nga Ben Gvir, ku shfaqeshin aktivistë të huaj të ndaluar nga ushtria izraelite pasi ishin kapur në ujëra ndërkombëtare.

Në pamje ata shiheshin të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura.

Videoja ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare, ndërsa Izraeli ka bërë të ditur se po procedon me deportimin e aktivistëve të ndaluar.