Iran drejt lëshimit historik/ Pranon të dorëzojë uraniumin e pasuruar, në tryezë marrëveshja me SHBA
Irani ka pranuar të heqë dorë nga rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, si pjesë e një marrëveshjeje që po diskutohet me Shtetet e Bashkuara.
Lajmi është raportuar nga “The New York Times”, e cila citon burime amerikane të përfshira në negociata.
Sipas tyre, detajet se si do të bëhet dorëzimi ose menaxhimi i këtyre rezervave do të përcaktohen në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
Çështja e programit bërthamor mbetet pika më e ndjeshme në negociatat mes dy vendeve.
Në diskutim është edhe një marrëveshje më e gjerë që përfshin lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Iranit dhe uljen e tensioneve në rajon.
Bisedimet po vazhdojnë, ndërsa palët synojnë të arrijnë një kompromis që shmang përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme.

