Shqipëria më pranë Bashkimit Europian/ Konfirmohet përparimi në kapitujt e “Themelorëve” dhe drejtësisë

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare të BE-së.

Sipas njoftimit zyrtar, Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel dhe hap rrugën për fazën e mbylljes së negociatave të anëtarësimit.

Në këtë fazë është vlerësuar përparimi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të ndërmjetme për grupkapitujt “Themelorët”, si dhe në kapitujt që lidhen me drejtësinë, liritë themelore dhe sigurinë.

BE vlerëson gjithashtu progresin e bërë në reformën në drejtësi, funksionimin e institucioneve të pavarura, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përmirësimet në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e medias, të drejtën e pronës dhe mbrojtjen e pakicave.

Vendimi shihet si një hap i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe konfirmon mbështetjen e BE-së për perspektivën europiane të vendit.

Autoritetet shqiptare pritet të vijojnë me reformat në drejtësi, ekonomi dhe administratë, me synimin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit brenda kësaj dekade.