Raporti i DASH: Stabiliteti i Ballkanit lidhet drejtpërdrejt me forcën dhe sigurinë e SHBA
Një dokument i ri i Departamentit amerikan të Shtetit e cilëson Ballkanin Perëndimor si një rajon të rëndësishëm për sigurinë dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara.
Në raport thuhet se stabiliteti në këtë pjesë të Europës dhe zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik e bëjnë SHBA-në më të sigurt dhe më të fortë. Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të DASH dhe mban titullin “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas tij, qasja e SHBA-së në rajon po ndryshon. Ajo nuk fokusohet më te ndërtimi apo rindërtimi i shteteve, por te stabiliteti dhe bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë me vendet e Ballkanit.
Raporti vë në dukje se çështjet e pazgjidhura dhe ndasitë politike vazhdojnë të ndikojnë në stabilitetin e rajonit. Po ashtu, synimi i administratës amerikane është të mbështesë aktorët lokalë që të zgjidhin vetë problemet e tyre, duke ulur varësinë nga ndërhyrjet ndërkombëtare.
Në dokument Rusia dhe Kina përmenden si vende që ndikojnë në mënyrë negative në rajon përmes mjeteve ekonomike, politike dhe të sigurisë. Po ashtu, krimi i organizuar në Ballkan shihet si rrezik edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Për Kosovën, SHBA vazhdon të mbështesë dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Gjithashtu, përmendet roli i trupave amerikane në KFOR si garanci për stabilitetin në Kosovë.
Raporti vë theksin edhe te bashkëpunimi ekonomik, investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji, si dhe përmirësimi i klimës së biznesit në rajon.
Në përgjithësi, dokumenti e paraqet Ballkanin Perëndimor si një zonë me potencial ekonomik, por edhe me sfida të vazhdueshme në siguri dhe zhvillim.

