(FOTO) RIHAPET “41-BIS” NË PEQIN/ Ja i dënuari i parë që shkel në regjimin më të ashpër të izolimit pas 5 muajsh pezullim
Regjimi i posaçëm “41-bis” është rikthyer në funksion në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, pas rreth pesë muajsh pezullimi.
Masa është vendosur me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë dhe ka si qëllim forcimin e sigurisë për personat që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe me lidhje me grupe kriminale.
Sipas burimeve, personi i parë që është vendosur në këtë regjim izolimi është Sabah Nuzi, i dyshuar për vrasjen e 22-vjeçarit Klevis Lleshi, ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë si ekzekutor në këmbim të një pagese prej rreth 50 mijë eurosh.
Nuzi është i lidhur me një grup kriminal që drejtohet nga Aurel Hoxha, i dyshuar si porositës i atentatit. Hetimet e deritanishme tregojnë se ai ka pasur rol aktiv në këtë ngjarje dhe dyshohet se mund të ketë qenë i përfshirë edhe në aktivitete të tjera kriminale.
Më parë ai ndodhej në burgun e Fushë-Krujës, por pas rikthimit të regjimit “41-bis” është transferuar në Peqin, ku do të qëndrojë në kushte të rrepta izolimi dhe monitorimi të vazhdueshëm.
Ky regjim konsiderohet një nga masat më të forta të sigurisë në sistemin penitenciar dhe aplikohet ndaj personave që dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit edhe nga brenda burgut.
Rihapja e tij shihet si një hap i autoriteteve për të forcuar kontrollin ndaj grupeve kriminale dhe për të kufizuar ndikimin e tyre brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.


