Kedhi: Anëtarësimi në BE nuk është “checklist”, por arritje standardesh
Sot në Bruksel pritet të diskutohet dhe të vendoset për një hap jetik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian: miratimi i raportit të IBAR.
Ky dokument i ndërmjetëm, i cili shpesh keqkuptohet, shërben si një gur themeli pa të cilin nuk mund të nisë mbyllja e kapitujve negociues.
Ndryshe nga sa mund të paraqitet përmes propagandës së përditshme, integrimi në familjen europiane nuk është thjesht një "checklist" apo një listë mekanike me ligje që duhen miratuar verbërisht për t'u anëtarësuar.
Raporti i IBAR do të vlerësojë me rigorozitet nëse Shqipëria po punon realisht për të përmbushur standardet e kërkuara nga BE.
Për të folur më tepër për këtë temë, në një lidhje të drejtpërderejtë në "Ora News", ishte Nikola Kedhi, njohës i pokitikave ndërkombetare, i cili theksoi se këto kërkesa nuk janë "detyra shtëpie" të imponuara nga ndërkombëtarët për t'u plotësuar "për hatër" të tyre.
Në thelb, anëtarësimi në Bashkimin Europian përkthehet në arritjen e standardeve thelbësore për vetë shoqërinë.
Qëllimi kryesor mbetet ndërtimi i një jete normale në një shtet funksional, të krahasueshëm me pjesën më të madhe të vendeve të kontinentit europian.
Vendi ka nevojë të ndërgjegjësohet se ky proces është një transformim i thellë për të ardhmen e tij, dhe jo thjesht një përmbushje e thatë burokratike.
" Ky raport është një raport i ndërmjetëm, pa miratimin e të cilit nuk mund të fillojë mbyllja e kapitujve, për të cilat negocion Shqipëria me Bashkimin Europian për të arritur standardet që ata kërkojnë.
Dhe duhet ta theksojmë këtë, që nuk është një raport formal, por është një pikë e rëndësishme e ndërmjetme, dhe nuk është asnjë pikë finale domethënë.
Është një pikë e rëndësishme e ndërmjetme, për të parë në qoftë se Shqipëria është duke punuar për të arritur këto standarde apo jo.
Ne duhet të kuptojmë një gjë, që propaganda shpeshherë përpiqet ta fshehë.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një checklist, një listë me gjëra që ti ke për të bërë, në qoftë se i bën këto të futen, në qoftë se miraton disa ligje të futesh në Bashkimin Europian dhe kaq. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është arritje standardesh. Dhe ne këtë duhet ta kuptojmë si shoqëri.
Nuk është se dikush na ka imponuar disa detyra shtëpie dhe ne duhet t'i bëjmë këto për hatër të atyre që na i kanë kërkuar nga jashtë. Në radhë të parë duhet të jetë arritje standardesh për veten tonë, për të jetuar normalisht, në një vend normal, si në të gjithë vendet e tjera, ose në pjesën më të madhe të vendeve të tjera të kontinentit tonë", u shpreh Kedhin.
