Rregullorja e re me konsensus në Kuvend/ OSBE: : Hap pozitiv për dialogun politik
Prezenca e OSBE-së ka reaguar pa miratimit me konsensus nga parlamenti të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit.
Në një reagim thuhet se “kjo shënon një hap pozitiv për dialogun politik dhe për funksionimin e demokracisë parlamentare”.
“Ndryshimet pasqyrojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, forcojnë reciprocitetin midis shumicës dhe opozitës dhe zgjerojnë hapësirën për një pjesëmarrje më aktive të të gjitha forcave në parlament.
Zbatimi i duhur i Rregullores do të jetë thelbësor për të siguruar një praktikë parlamentare gjithëpërfshirëse dhe efektive dhe për të mbështetur përparimin e mëtejshëm në prioritetet e reformave të Shqipërisë”,- thuhet në reagim.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 100 vota pro ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Ndryshimet u votuan me konsensus mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Mes dakordësive kryesore është vendimi që seancat plenare të mos zgjasin më pas orës 22:00. Në rast se debati nuk përfundon, seanca do të ndërpritet dhe do të vijojë ditën tjetër.
PS hoqi dorë nga disa propozime të mëparshme, mes tyre shqyrtimi i përshpejtuar i projektligjeve të lidhura me BE-në dhe përgjysmimi i kohës së diskutimeve për deputetët.
Palët ranë dakord edhe për forcimin e kontrollit parlamentar, duke detyruar institucionet t’u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion dhe komisionet parlamentare të zhvillojnë mbledhje ose seanca dëgjimore kur kërkohet nga opozita.
Po ashtu, sipas rregullores së re, në sallën e seancës plenare do të raportojnë vetëm disa institucione kushtetuese dhe të pavarura.

