"Mungoi në interpelancë"/ Berisha: Udhëtimi i fundit i Ramës me avion taksi kushtoi 300 mijë euro

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës dhe mungesë transparence ndaj Parlamentit.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Berisha u ndal tek mungesa e kryeministrit në interpelancat e kërkuara nga opozita, duke thënë se kjo situatë po përsëritet disa herë dhe po cenon funksionimin normal të Parlamentit.

Ai u shpreh se qytetarët po përballen çdo muaj me vështirësi ekonomike dhe varfëri më të madhe, ndërsa sipas tij, kryeministri vazhdon të përdorë shuma të mëdha parash për udhëtime me avion taksi.

Berisha përmendi edhe raportimet për udhëtimin e fundit të Ramës, për të cilin tha se ka kushtuar rreth 300 mijë euro. Sipas tij, në dy vitet e fundit janë shpenzuar 23 milionë euro për fluturime me avion taksi.

Në fund të fjalës së tij, ai akuzoi mazhorancën se po pengon hetimin parlamentar për këto shpenzime.