100 VOTA PRO RREGULLORES SË RE / PS-PD miratojnë me konsensus ndryshimet në rregulloren e Kuvendit

Kuvendi miratoi me 110 vota pro ndryshimet në rregulloren parlamentare, pas dakordësisë mes PS-së dhe PD-së. Marrëveshja solli tërheqjen e shumicës nga disa propozime të kundërshtuara nga opozita dhe pranimin e kërkesave për forcimin e kontrollit parlamentar. Ndryshimet prekin raportimet e institucioneve në Kuvend, funksionimin e komisioneve, masat disiplinore ndaj deputetëve, si dhe zgjatjen e seancave. Ndërkohë, SPAK nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm në komisionet parlamentare.

Me 100 vota pro dhe vetëm 1 votë kundër atë të Redi Muçit nga Lëvizja Bashkë, Kuvendi miratoi me konsensus ndryshimet në rregulloren parlamentare, pas dakordësisë së arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Marrëveshja u arrit pas negociatave mes palëve, ku socialistët tërhoqën disa prej propozimeve më të kundërshtuara nga opozita, përfshirë procedurën e përshpejtuar për ligjet e integrimit europian, uljen e kohës së diskutimeve nga 10 në 5 minuta dhe kufizimin e raportimeve të institucioneve vetëm në komisione parlamentare.

Sipas formulës së re, në seancë plenare do të raportojnë vetëm institucionet që kanë detyrim kushtetues, si Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ, KLP, ILD dhe KLSH, ndërsa SPAK nuk do të raportojë më në sallën e Kuvendit, por vetëm në komisionet parlamentare.

Palët ranë dakord gjithashtu që ligjet e integrimit të kalojnë me procedurë normale, përveç rasteve kur qeveria kërkon procedurë të përshpejtuar me argumentim të posaçëm.

Një tjetër pikë ku opozita arriti dakordësi me shumicën ishte forcimi i kontrollit parlamentar. Kryetari i Kuvendit do të ndërhyjë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen deputetëve për informacion, ndërsa komisionet parlamentare do të jenë të detyruara të zhvillojnë mbledhje ose seanca dëgjimore me kërkesë të opozitës brenda dy ditëve.

Me kërkesë të Partisë Demokratike, u pranua edhe ndërprerja e seancave plenare në orën 22:00 dhe vijimi i tyre ditën pasardhëse, si dhe pezullimi automatik i masave disiplinore ndaj deputetëve në rast ankimimi në Byronë e Kuvendit.

Ndryshimet parashikojnë po ashtu që Sekretariati i Etikës të ketë përbërje të barabartë mes shumicës dhe opozitës, ndërsa vota e sekretarit do të jetë përcaktuese në rast barazimi.

Numri i komisioneve parlamentare mbeti 11, ndërsa të dy grupet më të mëdha parlamentare do të kenë tashmë numër të barabartë këshilltarësh politikë.

Kreu i grupit socialist, Taulant Balla e cilësoi marrëveshjen si një fitore të parlamentarizmit dhe tha se shumica mbetet e hapur për dialog me opozitën.

Ndryshimet në rregullore u përshëndetën edhe nga Prezanca e OSBE-së në vendin tone, e cila i cilësoi si një hap pozitiv për dialogun politik dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.