Kuvendi drejt “lumit” të ligjeve për BE-në/ Gjuzi: Dy vitet e ardhshme vendimtare për integrimin

Nga Kuvendi, në një lidhje direkte për Ora News, deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, foli për procesin e integrimit europian dhe klimën politike që po krijohet mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e ligjeve që lidhen me Bashkimin Europian.

Gjuzi u shpreh se në dy vitet e ardhshme Kuvendi pritet të përballet me një volum të madh ligjesh që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, ndërsa kërkoi që debatet të fokusohen më shumë tek aspekti teknik dhe më pak tek përplasjet politike.

“Përpara se të jemi politikanë jemi shqiptarë, kështu që shenja të mira duken edhe në këtë aspekt. Besoj dhe uroj që deri në fund të këtij procesi, të gjithë politikanët shqiptarë dhe ligjvënësit shqiptarë të vijnë në variantin e tyre më të mirë përsa i përket çështjeve të integrimit, për t’i çuar ato përpara me pozitivitet dhe seriozitet për të mirën e vendit.”-tha ajo.

Deputetja e PS-së foli edhe për ngarkesën e madhe ligjore që pritet të kalojë në Kuvend gjatë periudhës së ardhshme, duke e cilësuar procesin e integrimit si një sfidë teknike që kërkon bashkëpunim të gjerë politik.

“Ne presim që në këto dy vitet e ardhshme në Kuvend të kalojë një numër shumë i madh ligjesh dhe kjo kërkon që diskutimet për ligjet që lidhen me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian të jenë në nivel teknik dhe jo politik.”-shtoi deputetja socialiste.

Gjuzi e cilësoi pozitiv përfshirjen e opozitës në këtë proces, duke shtuar se bashkëpunimi mes palëve shihet si një element i rëndësishëm për të shmangur vonesat në rrugën drejt Bashkimit Europian.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: