Skema e kontratës së Aeroportit të Vlorës/ Berisha: Shqiptarët do ta paguajnë miliona për vite me radhë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke paralajmëruar se Shqipëria mund të përballet me një faturë shumë të lartë financiare.
Në deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Berisha tha se ndërhyrja e shtetit ndaj investitorit kryesor të projektit mund t’i kushtojë vendit deri në 500 milionë euro dëmshpërblim.
Sipas tij, mes ortakëve të aeroportit mund të ketë mosmarrëveshje, por përfshirja e qeverisë në këtë proces krijon pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën, duke thënë se pas gjithë situatës qëndron vetë kryeministri dhe se çështja lidhet me interesa financiare brenda projektit të aeroportit.
Ai foli edhe për një klauzolë të kontratës së Aeroportit të Vlorës, për të cilën tha se parashikon pagesën e 10 milionë eurove në vit nga qeveria shqiptare për 13 vite me radhë, si kompensim për “biletat e munguara”.
Sipas Berishës, kjo skemë është ndërtuar mbi pretendimin se Aeroporti i Vlorës do të ishte aeroporti më i madh në Ballkan, ndërsa ngriti dyshime për mënyrën se si janë përdorur fondet publike në këtë projekt.

