Gjinaj: Celularët e bandave në Shkodër, një ‘minierë ari’ për SPAK! Armë të rënda, qitje si sport dhe video në TikTok
Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme për një ngjarje të ndodhur në Bushat të Shkodrës ka zbuluar detaje tronditëse nga bota e krimit, ku celularët e sekuestruar të anëtarëve të grupeve rivale kanë shërbyer si një “minierë ari” me informacione për hetuesit.
Gazetari i kronikës, Fatjon Gjinaj në studion e lajmeve në “Ora News” teksa komentoi dosjet e rihapura së fundmi nga SPAK, u shpreh se ekspertimi i aparateve telefonike të sekuestruara ka nxjerrë në pah një realitet ku armët e rënda, shumat marramendëse të parave dhe një stil jetese i rrezikshëm shfaqen hapur.
Gjinj tha se në celularët e anëtarëve të grupeve të përfshira, mes tyre grupi i njohur i “Bajrave” dhe familja Prendi, janë gjetur foto dhe video që dokumentojnë armatime të rënda e shumë të rrezikshme, si dhe sasi të mëdha parash.
Materialet filmike, tha ai, tregojnë të rinjtë teksa kryejnë qitje, një aktivitet që duket se për ta ishte kthyer në një formë “sporti” dhe parapërgatitjeje.
“Në mënyrë të pa shqetësuar, ata jo vetëm që dokumentonin aktivitetet e tyre kriminale, por nuk hezitonin t'i ndanin ato me publikun e gjerë. Përmes aplikacioneve si TikTok, të rinjtë postonin video ku gjuanin me armë apo shfaqnin topa me para, duke demonstruar fuqinë dhe moskokëçarjen ndaj ligjit”, tha Gjinaj.
Hetimi për këtë ngjarje nisi fillimisht nga Prokuroria e Shkodrës, por më pas, për shkak të kompleksitetit dhe lidhjeve me krimin e organizuar, dosja i kaloi SPAK-ut.
Vlen të theksohet, tha Gjinaj, se Prokuroria e Posaçme ka arritur të zbardhë ngjarjen duke u bazuar kryesisht te provat dixhitale të gjetura në telefona, pamjet filmike dhe transkriptet telefonike.
Megjithatë, hetimi konsiderohet nga gazetari ende i paplotë, pasi deri më tani janë identifikuar vetëm katër persona, ndërkohë që dyshohet se në ngjarje janë të përfshirë mbi dhjetë individë.
Një detaj interesant nga dosja është edhe përdorimi i nofkës së reperit të njohur “Noizy” për njërin prej të afërmve të të përfshirëve, një burrë rreth moshës 60-vjeçare, çka shton një element të pazakontë në dinamikën e grupeve kriminale në Shkodër.
PËR MË SHUMË NDIQNI DISKUTIMIN NË “ORA NEWS” NËN MODELIMIN E GAZETARIT BRAHIM SHIMA

