Jaupaj: Shqipëria po konsolidohet si partner serioz në agjendën ndërkombëtare të klimës

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë vizitës në Nju-Jork (SHBA) zhvilloi dy takime të rëndësishme në selinë qendrore të UNDP, lidhur me avancimin e bashkëpunimit dhe financimit ndërkombëtar në sektorin e mjedisit dhe klimës.

Jaupaj u takua me Marcos Neto, ndihmëssekretar i përgjithshëm i OKB dhe drejtor i Byrosë për Politikat dhe Mbështetjen e Programeve, si dhe me Ivana Živković, ndihmësesekretare e përgjithshme e OKB dhe drejtoreshë e Byrosë Rajonale për Europën dhe Shteteve të Pavarura të Komonuelthit.

Gjatë takimeve u diskutua mbi mbështetjen për prioritetet e Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër, investimet për klimën, mbrojtjen e biodiversitetit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në kuadër të integrimit evropian.

“Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një partner serioz në agjendën ndërkombëtare të klimës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Jaupaj, në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Jaupaj mori pjesë dy ditë më parë në Forumin e Kombeve të Bashkuara për Pyjet në Nju-Jork. Në këtë forum Japuaj prezantoi vizionin dhe reformat që Shqipëria po ndërmerr për ta kthyer sektorin pyjor në një nga prioritetet strategjike të këtij mandati qeverisës.