“1 miliard euro nën hetim”/ Tabaku ngre alarmin: Koncesionet dhe tenderat po përqendrojnë pasurinë publike në pak duar

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si menaxhohen prokurimet publike dhe koncesionet në Shqipëri, duke e cilësuar sistemin aktual si të mbyllur dhe me mungesë gare.

Ajo thotë se në total janë tenderuar rreth 2.2 miliardë euro në koncesione, ndërsa rreth 1 miliard euro prej tyre janë nën hetim për dyshime korrupsioni.

Sipas saj, shumë projekte kalojnë përmes ligjeve speciale në Parlament, duke shmangur konkurrencën dhe procedurat normale të tregut.

Tabaku ngre gjithashtu shqetësimin se një pjesë e madhe e tenderave zhvillohen pa garë, ndërsa shumica e fondeve publike përfundojnë në një numër të kufizuar kompanish.

Ajo e krahason situatën me vendet e rajonit, duke thënë se Shqipëria mbetet pas standardeve të konkurrencës së lirë.

Në reagimin e saj, ajo kërkon ndryshim të sistemit të koncesioneve dhe prokurimeve publike, duke përfshirë edhe institucionet kryesore si AKSHI, si dhe sektorë si energjia, portet dhe aeroportet.

Sipas saj, ekonomia duhet të bazohet në konkurrencë reale, ku përfiton më i miri dhe jo ai që ka lidhje me pushtetin.