Apartamente, poste parkimi, dyqane dhe transferta parash: kush është funksionari i kapur në pastrim parash?

Një funksionar i lartë shtetëror është kapur në pastrim parash. Agjencia e Inteligjencës Financiare ka publikuar raportin vjetor të punës për vitin që lamë pas dhe ka zbuluar se një ish-zyrtar, i dënuar tashmë për korrupsion, ka nisur të pastrojë paratë që i janë vjedhur popullit.  

Sipas raportit, ish-zyrtari ka nënshkruar gjatë vitit 2024 kontrata sipërmarrjeje për prenotimin e një apartamenti me vlerë 60 mijë euro, post parkimi me vlerë 35 mijë euro dhe një njësie tregtare me vlerë 60 mijë euro. Në raport nuk përmendet emri, por theksohet se është i njohur. 

Por ajo që ka ngritur dyshime te autoritetet financiare nuk janë vetëm investimet në prona, por mënyra se si janë siguruar fondet.

Nga analiza e llogarive bankare ka rezultuar se paratë nuk vinin nga të ardhura të qarta apo aktivitet ekonomik i deklaruar, por nga depozitime dhe transferta të shumta nga persona të tretë.

Në total, në llogaritë e ish-zyrtarit janë futur rreth 140 mijë euro përmes “dhurimeve”, “huave”, “likuidimeve të borxheve” dhe transfertave të tjera me lidhje të paqarta mes palëve.

Sipas ekspertëve të inteligjencës financiare, kjo është një nga format klasike të pastrimit të parave që përdoret për të shmangur dyshimet direkte mbi origjinën reale të fondeve.

Skema funksionon duke fragmentuar pagesat në shuma të ndryshme dhe duke përdorur persona të tretë për të krijuar idenë e burimeve të ligjshme financiare.

Në vend që fondet të kalojnë drejtpërdrejt nga personi nën dyshim, ato shpërndahen përmes rrjeteve familjare, miqësore apo lidhjeve të tjera informale, duke u paraqitur si hua, dhurata apo kthime borxhesh.

Apartamente, poste parkimi, dyqane dhe transferta parash: kush është
Skema e pastrimit të parave

Një tjetër element që ka ngritur alarmin është fakti se pronat janë blerë me çmime dukshëm më të ulëta se vlera reale e tregut.

Kjo konsiderohet një praktikë e përdorur shpesh në skemat e pastrimit të parave, ku në kontrata deklarohen çmime më të ulëta për të fshehur vlerën reale të transaksioneve dhe origjinën e fondeve.

Raporti evidenton gjithashtu se transfertat kanë qenë të përqendruara në një periudhë të shkurtër kohe dhe kanë pasur si qëllim kryesor përfitimin e pasurive të paluajtshme dhe dhënien e huave.

Sipas raportit, investimi në prona mbetet një nga mënyrat më të sigurta për të “pastruar” para me origjinë të dyshimtë, pasi pasuria e paluajtshme krijon një mbulim formal dhe e bën më të vështirë gjurmimin e burimit fillestar të fondeve.

Në shumë raste, pas blerjes, pronat rishiten, jepen me qira ose përdoren si garanci financiare, duke futur paratë e dyshimta në qarkullim të ligjshëm ekonomik.

Në këtë rast konkret, autoritetet kanë ngritur dyshime jo vetëm për burimin e fondeve, por edhe për strukturimin e transfertave dhe lidhjet e paqarta mes personave që kanë kaluar paratë.

Për këto arsye, dosja është dërguar për hetim të mëtejshëm në organet ligjzbatuese. / Marrë nga "Pamfleti"