Aksident i rëndë në Prrenjas-Librazhd/ Dy adoleshentë të plagosur rëndë pas përplasjes së motoçikletës

Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e së enjtes në aksin Prrenjas–Librazhd, në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.

Një motoçikletë është përplasur me një automjet, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të dy personave që ndodheshin në motor.

Bëhet fjalë për dy adoleshentë, drejtuesin dhe pasagjerin, të cilët kanë pësuar fraktura të shumta.

Të dy të plagosurit janë transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rënduar janë dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Zona ku ndodhi aksidenti njihet si një segment problematik për qarkullimin rrugor.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e përplasjes.