Gonzato: Mbrojtja e të dhënave personale, shtyllë e shtetit të së drejtës
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato zhvilloi një takim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.
Në takimin me Komisionerin Dervishi, ambasadori Gonzato theksoi rëndësinë e një institucioni të fortë, të pavarur dhe me burime të mjaftueshme për të monitoruar siç duhet dhe për të zbatuar në mënyrë efektive ligjin shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili është plotësisht i përafruar me kuadrin ligjor të BE-së.
“Mbrojtja e të dhënave personale është një shtyllë e rëndësishme e shtetit të së drejtës dhe e besimit të qytetarëve tek institucionet publike dhe private”, nënvizoi Gonzato.
Ambasadori u shpreh se, të gjithë kontrolluesit publikë dhe privatë të të dhënave pritet të ndjekin udhëzimet dhe rekomandimet e Komisionerit.
