Kryeministri mungon në seancën për integrimin, Xhixho: Po digjni momentin historik për kapriçot tuaja
Seanca parlamentare e dedikuar procesit të integrimit evropian u shndërrua në një arenë përplasjesh të ashpra politike, ku opozita lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie.
Shkak u bë mungesa në sallë e Kryeministrit dhe kryenegociatores, çka solli një reagim të fortë nga deputetët e opozitës.
Në një fjalim për procedurë, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, deklaroi se një seancë kaq jetike për të ardhmen e vendit nuk mund të zhvillohet "sa për procedurë", duke e cilësuar Kuvendin si "një noteri, apo një ministri më shumë të kësaj qeverie".
Sipas saj, është e papranueshme që për një proces me rëndësi madhore të mungojnë aktorët kryesorë, të cilët duhet të jepnin llogari para përfaqësuesve të popullit.
"Ne kërkojmë llogari dhe nuk marrim asnjë përgjigje," theksoi Xhixho, duke shtuar se dëgjesat në komisione kanë qenë "totalisht formale".
Akuzat e saj shkuan më tej, duke prekur disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit. Xhixho kërkoi llogari për "mburojën politike" që, sipas saj, iu dha një ish-zëvendëskryeministri, si dhe për një deklaratë të Kryeministrit me presidentin serb Vuçiç, e cila nuk ishte mandatuar nga Parlamenti. Xhixho akuzoi qeverinë se po ndjek një "korsi tjetër" në procesin e integrimit, dhe jo atë të anëtarësimit të plotë.
Në fjalën e saj u përmendën gjithashtu "korrupsioni galopant", "kapja e institucioneve" dhe fakti që vendi "është ende në vendnumëro". Sipas ligjvënëses së PL-së, procesi i integrimit nuk po pengohet nga ajo, por nga vetë qeveria, e cila me veprimet e saj po bën që shteti i së drejtës, llogaridhënia dhe demokracia të mos funksionojnë.
Në përfundim, ajo tha se momenti aktual gjeopolitik është tejet i rëndësishëm për Shqipërinë dhe nuk mund të "digjet për kapriçot e një mazhorance që nuk e ka interes integrimin evropian". Kërkesa e palëkundur e opozitës mbetet prania e Kryeministrit dhe kryenegociatores në Kuvend për të dhënë shpjegime për të gjitha pyetjet që shqetësojnë jo vetëm opozitën, por çdo qytetar shqiptar.
NDIQNI PUNIMET PARLAMENTARE

