Opozita shpërthen në Kuvend, Tabaku: Po e trajtoni integrimin sa për të kaluar radhën
Seanca e sotme parlamentare është tensionuar gjatë diskutimeve mbi procesin e integrimit evropian, ku opozita ka akuzuar ashpër mazhorancën për mungesë serioziteti.
Nga salla e Kuvendit, deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi se ndonëse opozita është e gatshme të shprehë vullnetin politik për integrimin, ajo nuk mund të marrë përsipër rolin e qeverisë.
“Opozita thjesht mund të shprehë një vullnet politik që kemi qenë të gatshëm për ta dhënë, por rolin e qeverisë nuk e bëjmë dot ne,” u shpreh ajo.
Sipas deputetes, nëse integrimi është vërtet një kryeprioritet siç deklarohet, atëherë kjo duhet të reflektohet në çdo vendim, ligj dhe marrëveshje që kalon në parlament, gjë që, sipas saj, “fatkeqësisht nuk po ndodh”.
Në fjalën e saj, Tabaku i bëri thirrje kolegëve që të ftojnë në seancë kryenegociatoren dhe kryeministrin për të raportuar, duke kërkuar ndjekjen e procedurave dhe llogaridhënie nga ata që mbajnë përgjegjësi për procesin.
Në një thirrje direkte drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputetja demokrate kërkoi që seanca të kthehet në normalitet dhe që çështja e integrimit të trajtohet me rëndësinë e duhur.
“Mos ta kemi këtë seancë sa për të kaluar radhën, për të miratuar një listë, ashtu siç po bëni me ligjet dhe me çdo procedurë tjetër,” theksoi ajo, duke aluduar për një qasje sipërfaqësore nga ana e mazhorancës.
NDIQNI PUNIMET PARLAMENTARE
