Politika bashkë për integrimin, Kuko: Rezoluta nuk duhet të mbetet thjesht një “letër e dakordësuar”, por një “dokument i gjallë”
Skena politike shqiptare dëshmoi një moment të rrallë uniteti, ku mazhoranca dhe opozita lanë mënjanë ndasitë për të miratuar një rezolutë të përbashkët për Bashkimin Europian.
Ky akt konsensual, u cilësua nga deputetja socialiste Romina Kuko si një “ditë e veçantë” për jetën politike të vendit, e cila tha ajo, i dërgon një mesazh të qartë pjekurie dhe përbashkimi përballë objektivit strategjik të anëtarësimit në familjen evropiane.
Në një komunikim nga ambientet e Kuvendit të Shqipërisë në studion e lajmeve në “Ora News”, Kuko e përshkroi rezolutën e përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës për integrimin si tejet konstruktive, ku siç tha ajo, forcat politike arritën një marrëveshje që simbolizon se për çështje madhore, të cilat tejkalojnë politikën e ditës, gjuha e përbashkët është e mundur.
Ky konsensus shihet nga Kuko jo vetëm si një sinjal pozitiv për qytetarët shqiptarë, por edhe si një mesazh i fuqishëm për partnerët ndërkombëtarë, duke konfirmuar misionin absolut të Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Fryma e re e bashkëpunimit ngjall shpresa se mund të shtrihet edhe në hapa të tjerë të rëndësishëm, siç janë reformat e thella që kërkon procesi.
Kuko u shpreh se rezoluta nuk duhet të mbetet thjesht një “letër e dakordësuar”, por një “dokument i gjallë” që do të zbatohet përmes angazhimeve konkrete. Kjo përfshin dialog të vazhdueshëm dhe një qasje konstruktive si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita.
Shqipëria, argumentoi më tej Kuko, po hyn në një “moment shumë kritik” në rrugëtimin e saj europian, veçanërisht pas marrjes së dritës jeshile për raportin e IBAR-it. Kjo fazë e re kërkon që të gjithë aktorët politikë të jenë në një linjë, duke punuar së bashku për të përshpejtuar procesin e integrimit.
Ndonëse interpretimet politike mes palëve mund të ndryshojnë, matësi real i progresit mbeten vlerësimet e Komisionit Europian. Raportet e tij kanë shënuar progres të vazhdueshëm, ndonëse jo pa kritika dhe rekomandime për zhvillime të mëtejshme.
Reforma në drejtësi përmendet si një nga arritjet më të guximshme dhe unike, ndërsa sfida të rëndësishme mbeten në fusha si prokurimet publike, ekonomia dhe përafrimi me tregun e përbashkët europian, hapa që kërkojnë linjëzim urgjent me mekanizmat e BE-së.
Konsensusi i arritur në parlament përfaqëson një hap thelbësor, por ligjvënësja socialiste thekson se progresi është gradual dhe nuk mund të pritet brenda natës. Vullneti i përbashkët politik, i manifestuar përmes kësaj rezolute, është themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet e ardhmja europiane e vendit, duke kthyer angazhimet në rezultate konkrete.

