Anëtarësimi në BE, Hoxha “rrëzon” zërat për bllokim: Shqipëria synon anëtarësimin brenda vitit 2030

Shqipëria vijon rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me një objektiv të qartë për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në horizontin kohor 2030.

Në një deklaratë nga foltorja e Kuvendit, ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi deri në 2030 është "absolutisht i arritshëm", me kushtin që të ruhet ritmi aktual i reformave dhe përmbushjes së standardeve.

Duke iu përgjigjur zërave në arenën publike, Hoxha sqaroi se procesi i shqyrtimit të raportit të Komisionit Evropian nuk është bllokuar, ndaluar apo vetuar nga asnjë shtet anëtar. Përkundrazi, ai tha se procesi gëzon vëmendjen dhe angazhimin maksimal nga të gjitha vendet anëtare, të cilat mbështesin rrugën evropiane të Shqipërisë.

Aktualisht, Shqipëria, si çdo vend tjetër kandidat, nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme që zhvillohen mes Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare në grupet e punës për zgjerimin. Vendi do të ulet në tryezën e vendimmarrjes vetëm pasi të ketë siguruar statusin e vendit anëtar.

Ndërkohë, po zhvillohet një aktivitet intensiv diplomatik në Tiranë, Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane, me qëllim forcimin e mbështetjes për procesin e integrimit. Këto përpjekje synojnë të ruajnë ritmin, besueshmërinë dhe integritetin e procesit të zgjerimit.

Në këtë kuadër, ministri Hoxha bëri thirrje që rrugëtimi i integrimit të mbështetet nga një klimë sa më konstruktive e dialogut politik dhe nga një gjithëpërfshirje më e gjerë shoqërore. Partnerët evropianë e konsiderojnë thelbësor forcimin e dialogut politik, përfshirjen e të rinjve dhe rritjen e komunikimit publik mbi rëndësinë e procesit të anëtarësimit për të gjithë qytetarët e vendit.