"PAQE" NË KUVEND/ PD dhe PS 'bashkohen' për rezolutën e anëtarësimit në BE, deputeti Leskaj abstenoi

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar me shumicë të cilësuar projektrezolutën për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, duke marrë mbështetjen edhe të opozitës.

Në votimin e zhvilluar në seancë plenare, rezoluta u miratua me 114 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër.

Votimi u zhvillua në mënyrë elektronike pas përfundimit të diskutimeve në Kuvend.

Dokumenti kishte kaluar më herët edhe në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme me konsensus të plotë.

Abstenimi i vetëm u regjistrua nga deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj.

Rezoluta parashikon bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në një moment kur palët politike kanë pasur shpesh qëndrime të kundërta.