Dosja “e nxehtë” e integrimit/ Berisha zbulon faktorin “peng” për të ardhmen europiane të Shqipërisë...

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se procesi i integrimit europian të Shqipërisë po mbahet peng nga korrupsioni i brendshëm dhe fshehja e qëllimshme e informacionit nga Parlamenti.

Sipas tij ekziston një lidhje interesi mes Kryeministrit Edi Rama dhe figurave të larta të qeverisë,  e cila kaduke ndikuar drejtpërdrejt rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.

Në një prononcim për mediat, Berisha deklaroi se prej tetë muajsh, në Parlament nuk është diskutuar mbi ecurinë e procesit të integrimit, pavarësisht detyrimit ligjor që ka Këshilli i Ministrave për të raportuar çdo tre muaj.

Ai  hodhi akuza të forta ndaj kryetares së Kuvendit , e cila  me urdhër të Kryeministrit Rama, i mban raportet e dërguara “në sirtar”, duke ua mohuar deputetëve dhe publikut informacionin mbi këtë proces jetik.

Raportet ekzistuese Berisha i ka  cilësuar si “të mbushura me gënjeshtra” dhe thjesht një “renditje vendimesh qeverie”, pa asnjë përmbajtje reale.

Në qendër të akuzave të tij, Berisha vendosi një lidhje të drejtpërdrejtë mes ngecjes së procesit dhe mbrojtjes që, sipas tij, Kryeministri Rama i bën Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilës iu referuar me emrin “Lubi Balluku”.

Ai pretendoi se kryeministri mbron atë për shkak të interesave të përbashkëta financiare, të lidhura me “para dhe vjedhje”.

 Kjo mbrojtje, sipas Berishës, ka çuar deri në bllokimin e sistemit të drejtësisë, duke i vënë “drynin” reformës për të cilën vetë Rama kishte bërë propagandë të gjerë. Kjo situatë e brendshme, theksoi ish-kryeministri, vjen në një kohë kur konteksti gjeopolitik është tejet favorizues për Shqipërinë.

“Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor me fqinjët”.., u shpreh ndër të tjera Berisha, duke e listuar si një kriter themelor për anëtatësimin e vendit ne BE.

Në përfundim të fjalës së tij, ish-kryeministri la të kuptohet se pengesa kryesore për të ardhmen europiane të vendit nuk vjen nga jashtë, por nga faktorë të brendshëm.

Sipas tij, qeveria mbetet sabotuesja kryesore e procesit të anëtarësimit, për të mbrojtur individë të caktuar nga përballja me drejtësinë. Ai e konsideroi këtë një akt “armiqësor” ndaj integrimit të vendit në familjen europiane.

Fjala e Berishës:

“Ajo që ndodh këtu është për herë të parë diskutohet për integrimin pas tetë muajve në parlament.

Po të lexoni raportin, ka një ligj që detyron parlamentin, Këshillin e Ministrave të raportojë çdo tre muaj në parlament për procesin e integrimit, për ecurinë e procesit të integrimit.

Tani çfarë thotë raporti? Raporti thotë se ne kemi dërguar në parlament çdo tre muaj raportin për procesin e integrimit.

Ndërkohë Niko Peleshi, unë nuk mund të them e ka dërguar s'e ka dërguar, por di një gjë që deputetët nuk kanë parë me sy asnjë raport.

Çka do të thotë, kryetari i parlamentit zbaton porosinë e Edi Ramës dhe i fut ato në sirtarë.

A është ky një armik i integrimit atëherë? Më thoni ju mua.

Në një kohë kur kërkohet rol qendror i parlamentit. Pra, sot nuk vijnë me raportuar, që të dëgjojnë qytetarët raportin.

A e di pse nuk vijnë? Se e kanë fund e krye mashtrime dhe renditje vendimesh, vendim me numër kaq, vendim me numër aq, vendime numra vendimesh të vendimeve të qeverisë dhe ligjeve.

Ky është raporti. Raporti i mbushur me gënjeshtra. Po a ecet dot? Shiko, pat një, të themi një gjë domethënë, pas sulmit rus në Ukrainë, pat një ide iluministe, të drejtë për mua, që Ballkanin Perëndimor, si territor europian, ta përfshijmë në Bashkimin Europian.

Dhe kjo ishte një ide shumë e mirë. Po Ballkani Perëndimor, Shqipëria, ndonjë vend tjetër, absolutisht përveç kriterit gjeopolitik, s'plotësojnë asnjë kriter tjetër.

Dhe me atë ide u shty përpara. Mirëpo ç'ndodhi? Ndodhi, u gjetën gjatë asaj shtytje para të pabesueshmeve.

U gjetën para faktit se Lubi Balluku merr zvarrë sistemin e drejtësisë, kryeministrin dhe në mënyrë të pabesueshme, njeriu që kishte bërë gjithë ato reklama për reformën në drejtësi, njeriu që kishte deklaruar se këtë, e jemi të vetmit në botë që e kemi bërë, tani i vinte drynin.

Për hir të kujt? Për hir të Lubi Ballukut. Mendoni ju se unë i bëra një pyetje, ai mu përgjigj më dha përgjigje frojdiane, nuk kisha qëllim frojdian unë aty. Jo absolutisht, kisha qëllim tjetër.

Sepse ajo është e lidhur me para, me para dhe me vjedhje, Lubia me Ramën.

Edhe ndaj ky nuk e lëshon dot Lubinë, se për të tjerat s'pyeste fare ai, më kuptove, po jua them unë ju.

Pra, kujt, dhe këta kujtojnë se në Bruksel nuk kanë as sy, as vesh dhe se këto përfaqësuesit e tyre këtu, nuk dëgjojnë, nuk shohin, a më kuptove.

Ky pra, në një proces që vërtet kishte dashamirësi të plotë, kjo padyshim, vërtet kishte tendencën që ta afrojmë Shqipërinë.

Pse Shqipëria? Jua them unë ju. Në dallim nga këto vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor me fqinjët.

Nuk ka problem siç kanë secila prej tyre, probleme të cilat  në pari, në një parim themelor të Bashkimit Europian, nuk pranojnë importin e problemeve midis vendeve, midis fqinjëve, në vendet që do anëtarësohen.

Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor me fqinjët“.