“Do të ndikojë në uljen e kostove për operatorët”/ Karakaçi: Kompensim për naftën dhe subvencion shoqërive të transportit
Qeveria ka miratuar një vendim për subvencionimin e shoqërive të transportit publik, me qëllim mbështetjen e operatorëve për përballimin e kostove të karburantit.
Ministri Enea Karakaçi deklaroi se masa parashikon kompensim për naftën në vlerën 50 lekë për çdo litër të konsumuar nga subjektet e transportit.
Sipas tij, vendimi synon të lehtësojë barrën financiare të kompanive të transportit, të cilat prej kohësh kanë kërkuar mbështetje për shkak të rritjes së kostove operative.
“Në mbledhjen e qeverisë në fakt kaluam disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por atë që do ndalem sot, është një akt i rëndësishëm i marrë në kuadër të masave subvencionuese që qeveria shqiptare ka marrë në kohën e krizës së hidrokarbureve dhe bëhet fjalë për masën e subvencionimit për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.
Kujtoj që para rreth një muaji ne jemi ulur me shoqatat e transportit si dhe me përfaqësues të bashkive, bashkë dhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe jemi ulur në një tryezë dhe kemi dëgjuar të gjitha shqetësimet dhe, dhe problematikat e tyre.
Në atë kohë ne dhamë fjalën që do kishim një masë subvencionuese, siç kishim edhe në kohën e vitit 2022 dhe konkretisht sot e kemi miratuar, që bëhet fjalë për një kompensim në masën 50 ALL për litër, për të gjitha shoqëritë e transportit publik të transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.
Dhe po ashtu një lajm i mirë tjetër që përsëri ne u angazhuam në, në ato takime që kemi bërë me të gjitha grupet e interesit të transportit, është që këtë masë subvencionuese do e fillojmë që në muajin mars, kur kishim dhe fillimin e efekteve të krizës.
Dhe në këtë kuptim kemi përmbushur një angazhim të marrë me grupet e interesit dhe sipas dakordësisë përkatëse" tha Karakaçi.
