AKSELERATORI I 3-TË LINEAR NË PUNË/ Ministrja Evis Sala: Po punohet për të 4-tin dhe brankiterapinë
Në shërbimin Onkologjik të QSUT-së është vënë në funksion të plotë akseleratori i tretë linear. Pajisja ka nisur punën duke trajtuar me sukses edhe pacientin e parë. Lajmi u bë i ditur gjatë një inspektimi nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala e cila tha se investimi rrit ndjeshëm kapacitetet dhe efikasitetin e trajtimit për pacientët onkologjikë.
Është vënë në funksion të plotë akseleratori i 3-të linear në shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Akseleratori është vënë në punë duke trajtuar me sukses edhe pacientin i parë.
E pranishme gjatë inspektimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, bëri me dije se një investim i tillë rrit kapacitetet e shërbimit në Njësinë e Radioterapisë dhe trajtimet më efikase për pacientët.
Ajo theksoi se po vijon puna për zgjerimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve trajtuese në vend për shërbimin onkologjik.
Ministrja inspektoi edhe dhomat e kimioterapisë ditore, ku aktualisht pacientët marrin shërbim sipas fashave orare të përcaktuara.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht me dy akseleratorët ekzistues trajtohen rreth 140 pacientë në ditë, ndërsa me shtimin e pajisjes së tretë kapaciteti pritet të rritet deri në rreth 200 pacientë në ditë.
Në plan është edhe sjellja e brankiterapisë dhe vendosja e një akseleratori të katërt linear për forcimin e mëtejshëm të shërbimit.
