Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Malaj: Kredi 250 mln euro, objektivi rritja e aksesit në financa për SME-të
Ministri i Financave, Petrit Malaj, në fjalën e mbajtur në aktivitetin për nënshkrimin e partneritetit mes shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, theksoi rëndësinë e SME-ve për ekonominë shqiptare, duke shpjeguar se këto ndërmarrje përbëjnë sektorin me peshën më të madhe në prodhim, shërbime dhe aktivitete të tjera ekonomike, dhe janë burimi kryesor i punësimit në vend.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë një nga sektorët me peshën kryesore në ekonomi, si në prodhim, si në shërbim dhe gjithë aktivitetet e tjera ekonomike. Nga ana tjetër SME-të përbëjnë masën më të madhe të punësimit, të fuqisë punëtore, duke siguruar jo vetëm një punësim por dhe një stabilitet në aspektin social të vendit. Pesha e SME-ve në Shqipëri më e lartë se në vendet që zënë në BE. Në Shqipëri SME-të zënë 82% të fuqisë punëtore, në vendet e BE-së punësojnë 65% të fuqisë punëtore. SME në Shqipëri zënë peshën kryesore në raport me vendet e BE-së edhe në pjesën e vlerës së shtuar në ekonomi. Duke pasur parasysh peshën e SME-ve qeveria përmes nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde” do synojë së pari rritjen e aksesit në financë për SME në sektorë të nën financuar duke iu dhënë mundësinë të financohen. Ne do i mbështesim SME-të jo vetëm në rritjen e kapaciteteve teknologjike, në digjitalizim, në eficencën e energjisë, etj,”, tha Malaj.
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” ka si objektiv rritjen e aksesit në financa për SME-të, veçanërisht në sektorët e nënfinancuar, duke mundësuar financime për investime në teknologji, digjitalizim, efikasitet energjetik dhe kapacitete të tjera të avancuara.
Ministri nënvizoi se mbështetja do të përfshijë një linjë kredie prej 250 milionë eurosh, e ofruar nga sistemi bankar me norma interesi më të ulëta se ato aktualisht në treg, e shoqëruar nga garancia sovrane prej 30 milionë eurosh, e cila do të zgjerohet dhe për sektorin bujqësor. Ai shtoi se, përveç kredive, qeveria do të ofrojë edhe grante për SME-të për përgatitjen e bizneseve planeve dhe projekteve të investimit që do të prezantohen pranë sektorit bankar.
“Mbështetja që do i japim do sjellë rritje të konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe rritje të produktivitetit të tyre dhe një përshpejtim të rritjes ekonomike dhe përafrim më të shpejtë me standardet e BE-së. Kjo nismë do mbështetet fillimisht me një linjë kredi të çelur nga BSH në vlerën 250 mln euro, do ofrohet me norma të ulëta interesi, më të ulëta se ato që ofrohen aktualisht nga sistemi bankar. Kjo linjë kredie do shoqërohet dhe me garancinë sovrane, prej 30 mln euro që është hedhur momentalisht në treg e cila do zgjerohet nga sektori bujqësor do shtrihet dhe për të mbështetur SME-të” shtoi Malaj.
Ministri deklaroi se përmes mekanizmave të ndryshëm që do të hidhen në treg, të rriten kapacitetet teknologjike dhe njerëzore të SME-ve, duke fuqizuar konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në Shqipëri.
“Garancia sovrane do rritet nga vlera 30 mln që kemi aktualisht. Qeveria do orfojë dhe grante për ndërmarrjet e vogla e të mesme të cilat do mbështeten për përgatitjen e biznesplaneve apo projekteve të investimit që do kenë dhe do paraqiten pranë sektorit bankar për të financuar me këtë linjë kredie. Qeveria do mbështesë përmes mekanizmave të ndryshëm, do hedhim dhe mekanizma të tjerë në treg që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të rrisin kapacitetet teknologjike, të burimeve njerëzore, konkurrueshmërinë, etj”, përfundoi ai.

