Nënshkrimi i partneritetit të ri, në mbështetje të sipërmarrësve/ Sejko: Program financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Guvernatori i Banka e Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se sektori bankar ka shënuar rritje të ndjeshme të kreditimit vitet e fundit, ndërsa u bëri thirrje bankave të rrisin financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për sektorin bujqësor.
"Ky memorandum synon lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe të opinioneve midis institucioneve publike dhe sektorit bankar, si një parakusht i nevojshëm për dizenjimin e instrumenteve të duhura për rritjen e aksesit në kredi të këtyre segmenteve të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Në hyrje të kësaj fjale, dëshiroj të theksoj se sektori bankar shqiptar ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të rritjes së kreditimit. Për ta ilustruar me shifra, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi vlerën e 907 miliardë lekëve në fund të muajit mars 2026, nga 575 miliardë lekë të regjistruar vetëm pesë vite më parë.
Po ashtu, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje mesatare vjetore rreth 15% gjatë dy viteve të fundit, ose afërsisht 107 miliardë lekë në vit.
Ndërkohë që kredia e re e dhënë gjatë vitit 2025, ishte rreth 423 miliardë lekë. Aktualisht, kredia bankare përbën një ndër flukset më të mëdha monetare në ekonomi dhe është me diferencë instrumenti kryesor i financimit të bizneseve dhe të familjeve shqiptare. Sikundër e kemi thënë edhe më parë, këto zhvillime flasin për një përmirësim sasior dhe cilësor të ofertës së kredisë në vendin tonë.
Për rrjedhojë, sistemi bankar është shndërruar në një partner gjithnjë e më të besuar të sektorit privat. Sektori bankar ofron jo vetëm instrumente të sigurta për ruajtjen e kursimeve të familjeve, por dhe instrumente moderne pagese dhe një ofertë gjithnjë e më të diversifikuar kredie.
Ky progres pasqyron rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, frutet e reformave të mëdha strukturore që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit, si dhe rezultatet e punës së vetë industrisë bankare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.
Megjithatë, ecuria pozitive e kreditimit gjatë kësaj periudhe përmban në vetvete një ritëm të diferencuar rritje ndërmjet bizneseve të kategorizuara sipas madhësisë dhe sektorit ku ato operojnë. Në veçanti, segmenti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, i cili përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar pjesën dërrmuese të vlerës së shtuar dhe ofruar punësim për pjesën më të madhe të shoqërisë, ka një akses relativisht të ulët në kredi. Për këto arsye, rritja e kredisë për këtë segment duhet konsideruar si një prioritet i rëndësishëm kombëtar.
Një akses më i lartë në kredi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do t'i hapte rrugë zgjerimit më të shpejtë të potencialeve prodhuese të vendit, rritjes më të shpejtë të produktivitetit total të ekonomisë dhe përmirësimit të mëtejshëm të mirëqenies së shoqërisë. Në këtë kontekst, prej më shumë se një viti, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe ka vënë në zbatim një program financimi për biznesin e vogël dhe të mesëm, i cili synon reduktimin e kostove të kredisë për këtë segment esencial të ekonomisë shqiptare.
Paralelisht, qeveria shqiptare ka miratuar një skemë garancie sovrane me qëllim uljen e rrezikut të kreditit për operatorët e sektorit bujqësor. Në gjykimin tonë, këto dy instrumente ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e këtij problemi. Progresi i bërë gjatë dy viteve të fundit është padyshim një premisë inkurajuese.
Megjithatë, duke përfituar nga rasti, dëshiroj t'i bëj thirrje industrisë bankare për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj financimit të sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe veçanti, dhe në veçanti atij bujqësor. Ky sektor përmban potenciale të pashfrytëzuara për zgjerimin e industrisë bankare, duke kontribuar në zhvillimin afatgjatë të vendit, por pa cenuar normat e prudencës.
Nga ana tjetër, gjithashtu, dëshiroj t'u drejtohem dhe vetë bizneseve të vogla dhe të mesme, duke inkurajuar ato që t'i afrohen bankave dhe t'i konsiderojnë ato jo vetëm si një burim i qëndrueshëm dhe me kosto të ulët financimi, por edhe si një konsulent i vlefshëm", u shpreh Sejko.