"Sistemi i pensioneve drejt kolapsit" - Muceku: Raporti kontribues - përfitues në rënie të vazhdueshme
Hysen Muceku (Drejtor i Departamentit të Financave Publike në PD) i ftuar ditën e sotme në “Kafe Shqeto” komentoi situatën e sistemit të pensioneve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga problemet më serioze dhe më afatgjata të ekonomisë së vendit. Sipas tij, sistemi aktual është në një tendencë të vazhdueshme përkeqësimi dhe nëse nuk ndërhyhet me reforma rrënjësore, rrezikon të përballet me kolaps në dekadën e ardhshme.
Muceku theksoi se treguesi kryesor i qëndrueshmërisë së sistemit, raporti kontribues–përfitues (numri i punonjësve që kontribuojnë për një pensionist), ka pësuar rënie të ndjeshme ndër vite.
Sipas tij, nga rreth 1.3–1.4 që ishte në vitin 2014, ky raport sot është ulur në rreth 1.17, çka sipas tij tregon një ngushtim të bazës financiare të skemës së pensioneve.
Ai argumentoi se kjo tendencë është ndikuar nga disa faktorë kryesorë, si emigracioni i lartë i të rinjve, informaliteti në ekonomi dhe plakja e popullsisë.
Në këtë kontekst, Muceku paralajmëroi se në mungesë të reformave strukturore, sistemi i pensioneve mund të përballet me kolaps të plotë në dekadën e ardhshme.
Deklarata e plotë:
“Siç e theksove dhe në fillim, një nga çështjet më të rëndësishme ose problematikat më të rëndësishme të vendit, është gjendja e pensionistëve. Sistemi i pensioneve sot është drejt kolapsit. Pra, në këtë raport, ose në këtë tendencë që ka nisur që nga 2014-ta, kur qeveria aktuale nisi reformën e pensioneve, kurba është në rënie.
Pra, raporti, (këtë e masim me raportin kontribues-përfitues) pra sa punëmarrës për sa punonjës për një pensionist. Dhe raporti ka qenë në vitin 2014, (1.3, 1.40 sot është 1.17, punonjës për një pensionist.
Dhe nëse do jetë kjo tendencë, faktorët, pra qoftë emigracioni, qoftë informaliteti në ekonomi, apo plakja e popullsisë, nëse sot nuk do të ndërhyhet në një reformë rrënjësore, sistemi mbas shumë vitesh, do jetë në kolaps të plotë.
Tani, mendoj që 10 vjeçari tjetër, jo ky 10 vjeçar, 10 vjeçari tjetër do jetë në kolaps të plotë sistemi i pensioneve me këtë tendencë që kemi ne. Me largimin e të rinjve nga vendi, me plakjen e popullsisë, dhe me informalitetin që kemi në ekonomi.
Pikërisht ky është rreziku i madh, që brezi juaj do të ketë ndoshta dhe një mundësi tjetër që paratë të merren nga shërbimet bazë, pra siç është shëndetësia, arsimi, infrastruktura e me radhë dhe t'i kthehen në kontribute.
Pra të qeveria të mos kryejë shërbimet bazë, arsimin, shëndetësinë e me radhë, të gjitha shërbimet e tjera, dhe vetëm të kthejë lekët neve që kemi paguar. Pra vetëm të kthejë lekët dhe t'i japin në formën e kontributeve të pensioneve.
Edhe dhe në programin e Partisë Demokratike të zgjedhjeve të fundit, ne paraqitëm të gjitha reformat që do të ndërmarrim, hapat që do të ndërmarrim. Dhe siç e dini pra ju, sot ne në çdo media ose kudo tjetër, po lançojmë minimumin etik. Ky është ligji fillestar. Poshtë këtij minimumi etik nuk mund të ketë më pension. Nuk ka ekzistencë më poshtë minimumit etik"

