Çela: Njëra palë pa zgjedhje, tjetra pa kandidatë, ja ku ka ngecur politika shqiptare

Politika shqiptare ndodhet në një stanjacion të thellë, ku të dy krahët politikë kanë krijuar një situatë paradoksale që bllokon çdo mundësi për rinovim dhe progres.

Ky është përfundimi i një analize të bërë nga avokati Ervis Çela në emisionin "Drejt", në "Ora News", ku u theksua se Partia Demokratike ka një model suksesi në historinë e saj, por nuk po arrin ta zbatojë atë.

Sipas analizës, modeli i fitores së PD-së në zgjedhjet e vitit 2005, pavarësisht se i largët në kohë, mbetet një shembull se si mund të arrihet pushteti. Formula e atëhershme bazohej në një hapje të plotë të partisë, thithjen e burimeve të reja njerëzore dhe pranimin e kontributeve të reja që ngjallën shpresë te qytetarët.

Ky model shihet si rruga e vetme për të dalë nga situata aktuale, ku politika e vjetër, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, ka sjellë bllokimin aktual.

"Modelin e suksesit PD-ja e ka të provuar në historinë e saj dhe janë zgjedhjet e 2005-ës me ngritjen e komitetit të orientimit politik.

Tani 13 vjet kanë në opozitë ata, kështu që larg do merren dhe modelet, por ama modelin e suksesit e kanë se si mund të vihet në pushtet.

Pra me një hapje partie, me një thithje të të burimeve të reja njerëzore, me kontribute të reja, që të ngjallin shpresë tek qytetarët sepse dihet që politika e vjetër si në njërin krah, si në krahun tjetër, e ka sjellë këtë stanjacion politik, ku në të dy krahët ne shikojmë që çdo individ i ri i cili ka kontribute dhe do t'i japi kontribute në sajë të aftësive që ai ka, nuk lejohet që ta bëjë një gjë të tillë.

Në njërin krah nuk ka zgjedhje, në krahun tjetër edhe pse ka zgjedhje, s'ka kandidatë. Praktikisht është e njëjta situatë sepse zgjedhje pa kandidatë nuk ka zgjedhje, se kuptimi i zgjedhjeve është nëse ka garë", u shpreh Çela.

Ndiqni intervistën e plotë: