Gjyqi në themel, debate në seancë! Gjyqtarja: Miting nuk bëhet në sallë! Meta: Mos u lodh avokat, për atë gjë merr 10 mijë euro
Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës e gjykimit në themel për dosjen “Meta”, ku të pandehur janë kreu i PL-së, Ilir Meta, ish-deputetja Monika Kryemadhi dhe tre të tjerë.
Seanca ka nisur me debate mes gjyqtares Etleva Deda dhe avokatit të Metës, Kujtim Cakrani. Gjyqtarja u ka kërkuar mediave të ndërpresin transmetimin dhe të dalin jashtë, ndërsa kjo është kundërshtuar nga Cakrani.
DEBATET
Gjyqtarja Etleva Deda: Në seancë nuk janë të pandehurit Fatime Kryemadhi dhe Pirro Xhixho. Gjykata do ta vijojë seancën në mungesë të tyre, por do të përfaqësohen nga avokatët. Ju lutem mediave të ndërpresin transmetimin.
Cakrani: Zonja gjyqtare ju po shkelni procedurën. Ju nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live të mediave.
Ilir Meta: Mos u lodh avokat, për atë gjë merr 10 mijë euro ( i referohet gjyqtares për rrogën)
Gjyqtarja: Nuk marrim aq!
Debat pas nxjerrjes së kamerave jashtë.
Avokati Cakrani: Lejoni të jepet live!
Gjyqtarja Etleva Deda: Miting nuk bëhet në sallë
Monika Kryemadhi: Edhe vrasësi serial killer në Amerike nuk rri në kafaz.
GJKKO mbi kërkesën për transmetim live: Parimi i publicitetit të seancës nuk do të thotë të transmetohet drejtpërdrejtë. Transmetimi live cenon privatësinë e dëshmitarëve.
Pas kësaj nxirret nga salla e gjyqit Edmond Haxhinasto me kërkesë të SPAK-ut.
“Ka dhënë dëshmi në fazën e hetimeve paraprake”, u argumentua në sallë.
Nga ana tjetër, Kryemadhi i kërkoi GJKKO-së t’i vërë në dispozicion CD-në me përgjimet ambientale që janë kryer.

