GJYQI PËR “PARTIZANIN”/ Ish-drejtuesit e klubit dëshmojnë për ndryshimin e destinacionit të truallit

Ish-drejtues të klubit Partizani dëshmuan në Gjykatën e Posacme në procesin ndaj Ish krueministrit Sali Berisha dhe personave të tjerë për procesin e privatizimit, ndërsa ish-presidenti Albert Xhani, ndryshe nga SPAK akuzoi Edi Ramën si kryebashkiak të Tiranës për ndryshimin e destinacionit. Në seancat e ardhshme pritet të dëshmojë edhe Ylli Pango si ish-ministër i Sportit.

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk u bë pjesë personalisht e seancës së radhës për dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani, ndërsa Gjykata e Posaçme nuk miratoi transmetim të drejtpërdrejtë për dëshmitë e ish-presidentëve dhe ish-drejtorëve të klubit.

Afrim Tola ishte i pari që u ul në karrigen e dëshmitarit, nga ku deklaroi se godinat që u privatizuan ishin të amortizuara dhe se nuk e mbante mend vlerën me të cilën u vlerësuan.

Ish-drejtori Bujar Labinoti dha të dhëna për gjendjen e terreneve, ndërsa deklaroi se në kohën kur klubi është privatizuar ai kishte dalë në pension.

Ish-presidenti i Klubit Partizani, Albert Xhani, ndërkohë, ndryshe nga SPAK, akuzoi Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e destinacionit.

Ai tha se ka menduar që trualli nuk kishte pronar, por me kalimin e kohës zbuloi se kishte 200-300 dhe se 15-20 nuk ishin shpronësuar.

Xhani foli edhe për marrëdhënien me Ministrinë e Mbrojtjes, që ruante një përqindje aksionesh për stemën dhe emrin e Partizanit, por tha se nuk ka marrë financime.

“Në 2004-2005 jam vënë në dijeni që toka ka pasur pronarë”, tha Xhani, duke shtuar se ai ka bërë investime në kompleksin Partizani.

Ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit të Pronave, Dhurata Çela, si edhe Petrit Kullolli, ish-topograf në Agjencinë e Kthimit të Pronave për Tiranën në vitet 2005-2009, dëshmuan para gjykatës për procesin.

Pa dëshmuar mbeti Isa Tare, ish-drejtori i klubit Partizani, i cili nuk është paraqitur pasi familja pretendon se vuan nga demenca, për çka SPAK kërkoi të pranohet dëshmia në prokurori, por kjo kërkesë hasi kundërshtimin e mbrojtjes.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojë Ylli Pango, në cilësinë e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.

“Kam menduar që aty nuk kishte pronar, por me kalimin e kohës kuptuam që kishte 200-300 pronarë.”