“Nesër më duhen patjetër 200 mijë, mos harro”/ SPAK lexon SMS-në e vitit 2009 në gjyq, avokati Cakrani kundërshton provën

SPAK lexoi në gjykatë kërkesën për gjykim për episodin CEZ-DIA, ku prokurori i posaçëm Sotir Kllapi paraqiti disa nga gjetjet e hetimit për Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Sipas prokurorit, nga hetimet kanë dalë lidhje të afërta mes Metës dhe biznesmenit Kastriot Ismailaj. Në sallë u përmend edhe një mesazh i vitit 2009, ku sipas SPAK, Meta i shkruante Ismailajt: “Nesër më duhen patjetër 200 mijë, mos harro”.

Ky pretendim u kundërshtua nga avokati Kujtim Cakrani, i cili tha se kjo pjesë nuk ndodhet në dosjen që disponon mbrojtja.

Gjatë leximit të kërkesës, Kllapi tha se në banesën e Fatime Kryemadhit është sekuestruar një aparat celular “iPhone”, nga ku janë marrë të dhëna dhe biseda të konsideruara të vlefshme për hetimin.

Sipas tij, në të njëjtën banesë janë gjetur edhe dy mandate pagesash bankare.

Prokurori foli edhe për marrëdhëniet e Metës dhe Kryemadhit me biznesmenin Adrian Shatku, për të cilin tha se zotëron disa kompani.

Sipas SPAK, ata kanë ndikuar që Shatku të hynte në tregun shqiptar dhe janë evidentuar takime të Metës me të në Marok dhe në SHBA.

Në seancë u tha gjithashtu se Meta dhe Kryemadhi kanë ndikuar tek ish-ministri Edmond Haxhinasto për ndryshimin e një urdhri.

Pjesë e kërkesës për gjykim ishte edhe episodi i lobimit të ish-LSI në SHBA. Sipas SPAK, LSI kishte lidhur marrëveshje me disa kompani lobimi, të raportuara si kontrata që zgjatën një vit e katër muaj, por që sipas hetimit rezultojnë të kenë zgjatur vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh të kaluar përmes llogarive bankare.

Në sallë u përmendën edhe faturat e pagesave: një faturë e datës 10 shkurt 2016, një tjetër më 11 maj 2016 dhe një faturë tjetër më 28 qershor. Sipas SPAK, tre prej faturave janë paguar nga LSI në vlerën totale 93 mijë dollarë, ndërsa një pagesë është kryer nga një kompani e Adrian Shatkut.

Sipas prokurorit, Meta ka qenë në dijeni që LSI financonte marrëveshjen e lobimit dhe se një pjesë e pagesave kryhej nga Shatku në SHBA. Në seancë u tha gjithashtu se LSI kishte marrë shërbime nga kompania GSIS dhe se Meta, bashkë me Edmond Panaritin, kishin udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara në kuadër të këtyre marrëdhënieve.

Dëshmon Petrit Kullolli: “Kam qenë i punësuar nga viti 2005 deri në vitin 2009 në Agjencinë e Kthimit të Pronave. Kam qenë topograf për zonën e Tiranës.

Ne verifikonim sipërfaqen dhe bënim matje me metra dhe instrumente. Kur toka ishte e sheshtë, masnim deri në 100 mijë metra katrorë. Sipërfaqja përshkruhej në skicë dhe kryenim edhe matje fizike në terren.

Merrnim hartën dhe bënim fotokopje të dosjeve. Këto procedura kryheshin brenda ditës. Në rastet kur shkonim për verifikime në terren, merrnim edhe pronarët e tokës.

Në kohën time, detyrat mi caktonte drejtoresha.

Jamarbër Malltezi e njoh si person publik, por nuk jam takuar kurrë me të.

Kemi qenë dy herë në terren, një herë për familjen Begeja dhe një herë për tre familje të tjera.

Inxhinier Nexhat Turkeshi e kam pasur profesor dhe hartat që ai realizonte ishin 100% të besueshme.

Në punën time private kontaktoja me personat që kishin dokumente pronësie.

Për pronat e familjes Begeja i jam referuar dokumenteve kadastrale dhe hartës së vitit 1937.”

Ilir Meta ka folur në gjykatë gjatë seancës paraprake për çështjen që po shqyrtohet, duke sqaruar qëndrimin e tij për përgjegjësitë personale.

Ai tha se ka statusin e divorcuar dhe se nuk mban përgjegjësi për veprimet e mëparshme të Monika Kryemadhi pa dijeninë e tij.

Sipas tij, përgjegjësia është individuale dhe nuk mund të lidhet me një person tjetër.

Meta i kërkoi gjykatës të marrë parasysh se nuk ka bërë shpenzime të mëdha dhe se nuk i kushton rëndësi gjërave materiale, duke përmendur edhe një orë që e ka prej rreth 20 vitesh.