"Jemi shumë vonë"/ Kume:PS dhe PD po 'luajnë' sërish me kohën, reforma zgjedhore mbetet peng i interesave politike
Eksperti zgjedhor Andon Kume, i ftuar në studion e Ora News, foli për ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri dhe vonesat që po shoqërojnë procesin.
Sipas tij, edhe pse reforma nisi më herët krahasuar me vitet e tjera, deri tani mungon një produkt konkret që të adresojë problematikat kryesore të zgjedhjeve në vend.
Kume tha se klasa politike shqiptare po ndjek të njëjtin model si në të kaluarën, duke i lënë vendimet e rëndësishme për në momentin e fundit.
“Klasa politike jonë nuk na zhgënjen. Sa herë është folur për reformë zgjedhore, vendimet janë marrë në fund dhe zakonisht kanë qenë të lidhura me interesat e partive kryesore politike.”-tha ai.
Ai kujtoi se Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nisi punën menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2021, duke krijuar pritshmëri për një reformë më gjithëpërfshirëse që do të trajtonte rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe kërkesat e shoqërisë civile.
Megjithatë, sipas Kumes, procesi ka mbetur pas dhe ende nuk ka një draft të plotë për ndryshimet kryesore në Kodin Zgjedhor.
“Jemi shumë vonë. Akoma nuk kemi parë një produkt real nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Deri tani kemi vetëm draftin për referendumet, ndërsa thelbi i reformës zgjedhore mbetet pa zgjidhje.”-shtoi Kume.
Eksperti zgjedhor ngriti shqetësimin se mungesa e dakordësisë politike po e zvarrit procesin, ndërsa vendi rrezikon të futet sërish në një tjetër cikël zgjedhor pa adresuar problemet që janë evidentuar prej vitesh.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

