Sulmi ndaj biznesmenit Sokol Tomës/ Kryebashkiaku i Lezhës: Aktet e shëmtuara të dhunës po ndotin shoqërinë, e papranueshme
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj biznesmenit 53-vjeçar Sokol Toma, duke e dënuar ngjarjen dhe duke kërkuar zbardhjen e saj nga autoritetet.
Sipas tij, aktet e dhunës dëmtojnë shoqërinë dhe nuk duhet të tolerohen.
Ai ka kërkuar nga strukturat vendore të Policisë së Shtetit që të punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Në reagimin e tij, Ndreu ka kërkuar gjithashtu kujdes me informacionet që qarkullojnë në media për ngjarjen, duke i cilësuar disa prej tyre si të pasakta.
Sokol Toma, ish-zyrtar i bashkisë Lezhë dhe ish-kryetar i PD në Lezhë, u dhunua ditën e djeshme teksa udhëtonte me makinë nga Tirana drejt Lezhës. Ai u sulmua nga persona të maskuar në zonën e autostradës Laç–Mamurras, pranë kryqëzimit të Sanxhakut.
Pas ngjarjes, ai është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor për dëmtime në këmbë dhe në njërin vesh.
Më herët, Toma ka mbajtur funksione në administratën vendore dhe ka qenë i përfshirë edhe në çështje të mëparshme ligjore lidhur me pronat në zonën bregdetare.
Reagimi i Ndreut:
Aktet e shëmtuara të dhunës janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë. Dënoj me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj një anëtari të komunitetit lezhjan.
Kushdo që e ka menduar, organizuar apo kryer këtë akt duhet ta dijë se ligji, herët a vonë, të gjen dhe të vendos përpara përgjegjësisë. Edhe më të papranueshme janë banalitetet mediatike dhe spekulimet për “prerje veshi”, të cilat vetëm sa shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik.
I kam kërkuar drejtuesve vendorë të policisë të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.
Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë. Kushdo që perdor gjuhë të dhunshme, duhet të ndalë dhe të reflektojë pasi komunitetit lezhjan nuk ka asnjë lidhje me sjellje banale presioni dhe dhunë që herë pas here shfaqen!

