Bardhi dhe Tabaku takim me delegacionin e Parlamentit suedez: Zgjedhjet, korrupsioni dhe liria e medias, testi real i integrimit

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka ndarë detaje nga takimi me delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit suedez, ku në fokus kanë qenë zgjedhjet, lufta kundër korrupsionit dhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Postimi i Gazment Bardhit:

Zgjedhjet, lufta ndaj korrupsionit dhe integrimi europian ishin në qendër të diskutimit gjatë takimit me delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit suedez, në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Së bashku me kolegen Jorida Tabaku, theksuam se integrimi europian nuk është thjesht një proces teknik negociatash, por lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e demokracisë, balancën mes institucioneve dhe respektimin e standardeve demokratike në vend.

Në diskutim u nënvizua rëndësia e një procesi integrimi transparent dhe gjithëpërfshirës, ku opozita të ketë rol real dhe të mos trajtohet si faktor formal në një proces që lidhet me të ardhmen europiane të vendit.