“LUFTË” PËR PËLLUMBAT GARUES! Shoqata përplaset me doganën, por lejohen të udhëtojnë drejt Serbisë për garën ndërkombëtare

Shoqata e pëllumbave garues u përplas me autoritetet në doganën e  Qafë Thanës pasi një kamion me shpendë që udhëtonte drejt Serbisë për një garë ndërkombëtare u ndalua për disa orë në kufi. Pas negociatave, autoritetet lejuan kalimin e pëllumbave.

Këto pamje tregojnë situatën e tensionuar që u krijua në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku autoritetet doganore shqiptare bllokuan kalimin e një kamioni me pëllumba garues që ishte nisur drejt Serbisë për të marrë pjesë në një garë ndërkombëtare.

Përfaqësues të shoqatës së pëllumbave garues kundërshtuan vendimin, duke pretenduar se ndalimi nuk kishte bazë ligjore dhe po pengonte padrejtësisht pjesëmarrjen e tyre në aktivitet.

Pas disa orësh diskutime dhe negociata me autoritetet, dogana vendosi të lejojë kalimin e kamionit me pëllumba drejt Serbisë.

Përfaqësuesit e shoqatës e cilësuan vendimin si një zgjidhje të drejtë, ndërsa thanë se pjesëmarrja në këto gara përfaqëson jo vetëm pasionin për sportin e pëllumbave garues, por edhe përfaqësimin e Shqipërisë në aktivitete ndërkombëtare.

Garat me pëllumba zhvillohen në shumë vende të Europës dhe bazohen në aftësinë orientuese dhe shpejtësinë e pëllumbave në gara në distanca të gjata.