Sherr i madh në Fier, dy të rinj përfundojnë në spital/ Njëri u godit në kokë, tjetri me mjet prerës
Një konflikt i çastit i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier ka përfunduar me dy persona të plagosur, ndërsa policia ka shpallur në kërkim një 36-vjeçar me precedent penal.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 23:00, në spitalin e Fierit kanë mbërritur për ndihmë mjekësore shtetasit R. H., 28 vjeç, me dëmtime në kokë të shkaktuara me sende të forta, dhe D. H., 28 vjeç, i plagosur me mjet prerës.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes disa personave. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë identifikuar si një nga autorët e dyshuar shtetasin K. S., 36 vjeç, banues në fshatin Vadhizë, i cili është shpallur në kërkim.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
