GORO, 6 MUAJ E 10 DITË NË QELI/ Ish-kryebashkiaku i Himarës do shlyejë dënimin për abuzime me tokat
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, do të vuajë 6 muaj e 10 ditë burg për dhënien e paligjshme të një prone në bregdet pasardhësit të tij Arqile Bollano. Gjykata rrëzoi kërkesën për njohjen e shlyerjes së dënimit.
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, do të shlyejë në qeli dënimin e formës së prerë prej 6 muajsh e 10 ditësh burg për dosjen në të cilën akuzohet se i ka dhënë në mënyrë të paligjshme pasardhësit të tij të komanduar, Arqile Bollano, një pronë në bregdet.
Vendimi u dha këtë të martë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila rrëzoi kërkesën e Goros për njohjen e shlyerjes së dënimit.
Disa javë më parë, Apeli i Posaçëm shpalli vendimin e fajësisë dhe, pas përllogaritjes së ditëve të burgimit për këtë dosje, SPAK urdhëroi rikthimin në qeli të ish kryebashkiakut.
Goro ishte liruar më 29 gusht të vitit të kaluar për dënimin e parë, ku u akuzua për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, lidhur me një pronë ku përfitues fundor ishte Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçkës
Vendimi i Apelit për rastin “Bollano” konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Jorgo Goro u arrestua më 23 mars 2024, ndërsa gjatë hetimit dhe gjykimit në Gjykatën e Posaçme kërkoi vazhdimisht pafajësinë.
Ndërkohë, më herët, Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vitesh e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë, në favor të Artan Gaçit, I cili mori statusin e investitorit strategjik nga qeveria.
Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke u liruar më herët.
