FRIKË NGA HAKMARRJA/ Policia largon nga zona familjen e Nikolla Rradaçit që aksidentoi të vegjlit dje në Durrës

Teksa plaget e humbjes se dy djemve te tyre nga perplasja fatale e shkaktuar nga Nikolla Rradaçi, i cili rezultoi se pas aksidenti tragjik ishte ne gjendje te dehur, Policia ka marre masa qe te largoje nga zona familjen e autorit, si frike e nje hakmarrjeje te mundshme nga ana e familjareve te vitikmave.

Policia ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin e ndodhur ditën e djeshme në Durrës, ku dy të mitur humbën jetë dhe një i tretë u plagos rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Policia njofton se drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në komisariat ku më pas edhe është arrestuar.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Aksidenti i rëndë i ndodhur dje në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, ka sjellë masa disiplinore në radhët e Policisë të qytetit bregdetar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave: Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa; Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj; si dhe Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo. 

Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi ngritjen e një grupi ekspertësh nga Drejtoria e Policisë Rrugore, të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë për këtë rast tragjik.